Site icon PrishtinaPress

Ligji i ri në Gjermani prek edhe furnizuesit në Kosovë, gjobat deri në 8 milionë euro

Ligji i ri gjerman për Zinxhirët e Furnizimit do të ketë ndikim edhe te kompanitë nga Kosova të cilat punojnë me kompanitë gjermane.

Ky ligj mbron standardet themelore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ndëshkon shkeljet e të drejtave të njeriut dhe nëse rreziqet mjedisore çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut, parashihen gjoba deri në tetë milionë euro.

“Nëse rreziqet mjedisore çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut (p.sh. përmes ujit të ndotur), përfshihen gjithashtu ndotja e ajrit dhe ujit, si dhe përdorimi i kimikateve dhe pesticideve ose shpyllëzimi i paligjshëm, kompanitë do të sanksionohen me një nga këto masa: Gjoba deri në tetë milionë euro ose deri në dy për qind të shitjeve vjetore ose Përjashtim nga prokurimi publik për shkelje të rënda deri në tre vjet”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Komunikata e plotë për media:

Nga 1 janari i këtij viti në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Konsideratë të plotë në Zinxhirët e Furnizimit që prek edhe kompanitë nga Kosova, që punojnë me kompanitë gjermane.

Ky ligj synon që të krijojë një ambient që mbron të drejtat e njeriut dhe standardet mjedisore në ekonominë globale, jo vetëm për kompanitë gjermane, por edhe për të gjitha kompanitë që përfshihen në zinxhirin e furnizimit, që nuk janë të pakta në vendin tonë.

Me këtë ligj mbrohen standardet themelore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ndëshkohen shkeljet e të drejtave të njeriut, në vijim: Puna e fëmijëve, Puna e detyruar dhe diskriminimi, Mbrojtja në vendin e punës, Liria e asociimit dhe e shoqërimit dhe Paga e arsyeshme.

Nëse rreziqet mjedisore çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut (p.sh. përmes ujit të ndotur), përfshihen gjithashtu ndotja e ajrit dhe ujit, si dhe përdorimi i kimikateve dhe pesticideve ose shpyllëzimi i paligjshëm, kompanitë do të sanksionohen me një nga këto masa: Gjoba deri në tetë milionë euro ose deri në dy për qind të shitjeve vjetore ose Përjashtim nga prokurimi publik për shkelje të rënda deri në tre vjet.

Për t’iu qartësuar më shumë, po ju tregojmë sipas shembujve:

Nëse një kompani Call Center në Kosovë që punon për një kompani tjetër në Gjermani, ka 50 punëtorë dhe nuk i lejon punëtorët të themelojnë sindikatën e tyre. Pas kësaj, një nga punëtorët mund të kontaktojë autoritetet gjermane dhe ata do të fillojnë menjëherë procedurat ndaj kompanisë të cilës i shërbejnë në Gjermani.

E njëjta ndodhë edhe nëse një kompani që prodhon kemikate ose ngjyra dhe i shet ato tek një kompani në Gjermani. Por, gjatë prodhimit kjo kompani ndotë ujin pasi nuk i menaxhon ujërat e zeza si duhet, atëherë banorët rreth fabrikës apo organizatat jo-qeveritare mund ta lajmërojnë këtë rast tek autoritetet gjermane dhe më pas fillojnë procedurat në bazë të këtij ligji.

Ajo që mund të pritet për kompanitë në Kosovë, është se mund t’i vijnë kërkesa për auditim dhe kontrata të reja që parashohin rregullat që përcakton ky ligj. Gjithashtu, duhet të jetë e qartë që edhe pse Kosova nuk është në BE, kompanitë gjermane janë. Dhe për të mbrojtur vetën në rast të hapjes së ndonjë procedure gjyqësore, ato do të kërkojnë përgjegjësi nga kompanitë e Kosovës.

Ligji i ri për Konsideratë të plotë në Zinxhirët e Furnizimit në vitin e parë (2023) duhet të zbatohet nga kompanitë që kanë seli në Gjermani, përfshirë ato të huajat, dhe kanë më shumë se 3,000 punëtorë. Kurse, nga viti 2024, ligji do të zbatohet nga kompanitë me më shumë se 1,000 punëtorë.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka organizuar një webinar gjatë kësaj jave, ku anëtarët që bëjnë biznes me kompanitë gjermane kanë mundur të kuptojnë gjithçka rreth ligjit nga ekspertët gjermanë Katharina Schöne dhe Klaus Burkart nga kompania Cargodian. Ne ju inkurajojmë që të na kontaktoni për t’u informuar në detaje rreth këtij ligji në: info@oegjk.org.

Exit mobile version