Site icon PrishtinaPress

Ligji “favorizon” prokurorin e Speciales, i ofron shans të dytë nëse i rrëzohet aktakuza herën e parë

24 tetori është data e fundit kur Gjykata Speciale duhet të vendosë lidhur me aktakuzat e përpiluara nga Prokuroria e Specializuar e Hagës kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Përveç për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit, Guillou-s i duhet të marrë vendim edhe për një aktakuzë tjetër, e cila në gjykatë është dërguar më 24 shkurt, afati për vendimin e së cilës ka skaduar para tri ditësh (24 gusht, e hënë).

Sidoqoftë, Prokurori i Specializuar i Hagës e ka edhe një shansë të dytë, nëse aktakuza e tij kundër një ish-ushtari të UÇK-së rrëzohet nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Ligji për Dhomat e Specializuara, ia garanton Prokurorit që ta realizojë një kërkesë pasuese për konfirmimin e aktakuzës potenciale, nëse e njëjta hidhet poshtë.

Neni 39, pika 2 e këtij ligji saktëson se Prokurori mund të paraqesë kërkesën e dytë për konfirmimin e aktakuzës, mirëpo që e njëjta duhet të jetë e mbështetur në prova shtesë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e shqyrton aktakuzën. Kur është i bindur se prokurori i specializuar e ka përcaktuar ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë, gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën. Kur nuk është aq i bindur, aktakuza ose akuzat që ajo i përmban hedhen poshtë. Prokurori i specializuar nuk përjashtohet nga kërkesa pasuese për konfirmimin e aktakuzës nëse kërkesa mbështetet me prova shtesë”, thotë neni në fjalë.

Lajm jo fort i mirë për të akuzuarit në këtë organ ndjekës është se aktakuza potenciale, edhe nëse konfirmohet, mund të ndryshohet para nisjes së Seancës Fillestare në Gjykatë.

Neni 39, pika 8 sqaron se Prokurori i Specializuar mund të ndryshojë aktakuzën me lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake. Kjo përfshinë shtimin e akuzave të reja, apo zëvendësminin e tyre me disa më të rënda.

“Pasi të jetë konfirmuar aktakuza por para se të ketë filluar shqyrtimi gjyqësor, Prokurori i specializuar mundet ta ndryshojë aktakuzën me lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake (ose të trupit gjykues nëse është i informuar) pasi t’i ketë dëgjuar palët. Nëse Prokurori i specializuar kërkon të shtojë akuza të tjera, apo t’i zëvendësojë akuzat më të rënda, gjyqtari i procedurës paraprake i shqyrton ato akuza dhe e mban shqyrtimin fillestar në pajtim me këtë nen”, saktëson ky nen.

Bazuar në afatin e përcaktuar në rregullore, Gjykatësit të procedurës paraprake i ka skaduar para tre ditësh afati për marrjen e një vendimi lidhur me aktakuzat e 24 shkurtit, që njëkohësisht janë të parat të përpiluara nga kjo prokurori.

Në lidhje me këtë çështje, kanë folur nga Gjykata Speciale, mirëpo që kanë dhënë një përgjigje jo fort të qartë.

Nga ky institucion i kanë thënë lajmi.net se nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse ndonjë aktakuzë është konfirmuar, apo saktësisht kur do të konfirmohet, ani pse afatet për vendimin lidhur me të janë të qarta.

E njëjta, me shumë gjasë edhe pas konfirmimit të saj mund të mos publikohet, nëse një gjë e tillë vendoset nga Gjykata.

“Deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike, dhe derisa aktakuza të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat që lidhen me shqyrtimin e saj. Prandaj, nuk jam në gjendje t’ju them nëse një aktakuzë është konfirmuar, as nuk mund të them saktësisht kur kjo mund të ndodhë”, kanë thënë nga Gjykata Speciale për lajmi.net.

Ditëve të fundit nga veteranët e luftës ka pasur kërkesë zyrtare për ndryshimin e ligjit për dhomat e Specializuara.

OVL e UÇK-së me anë të një shkrese dërguar në Kuvend, ka kërkuar nga deputetët ndryshimin apo plotësimin e ligjit në fjalë, në atë mënyrë që të mundësohet edhe gjykimi i serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Debat tjetër është hapur edhe lidhur me mandatin e Speciales i cili përfundon këtë vit.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi ndryshime Kushtetuese që mandati i këtij institucioni të zgjatet për një periudhë pesë-vjeçare.

Exit mobile version