Sonte, në orën 21:00, do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të xhiros së parë të fazës së 1/8 të finales së Ligës e Kampionëve.
Ndeshjet e garës më prestigjioze të Evropës do të vazhdojnë sonte, kur Atletico Madridi do ta presë në shtëpi Juventusin. Këto dy skuadra luajnë stil të ngjashëm futbolli dhe ndeshja pritet të jetë me pak gola, transmeton prishtinapress.eu
Skuadra e Massimiliano Allegrit dhe ajo e Diego Simeones njihen si top dy skuadrat më të mirë në mbrojtje në Evropë. Për t’i përmirësuar gjasat për të kaluar në çerekfinale, Juventusi do ta kërkojë një gol si mysafir, ndërsa Atletico synon ta mbajë portën e paprekur.
Juventusi e fitoi Grupin H, mirëpo rrugëtimi i tyre nuk ishte pa surpriza. Italianët u mposhtën nga Manchester Unitedi në shtëpi, përkundër formës së dobët që “Djajtë e kuq” e kishin në atë kohë, si dhe humbën edhe në ndeshjen kundër Young Boys, që renditej në vendin e fundit në grup.
Në anën tjetër, Atletico Madridi përfundoi në pozitën e dytë në Grupin A, mirëpo kishte baras pikë, gjithsej 13, me Dortmundin, që u kualifikua në fazën e 1.8 të finales si fitues i grupit.
Cristiano Ronaldo do të tentojë ta dëshmojë veten në këtë ndeshje pasi që është bërë e ditur se Juventusi e transferoi pikërisht për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve. Portugezi ka shënuar plot herë kundër Atleticos, gjatë kohës sa ishte lojtar i Real Madridit, dhe do të tentojë ta bëjë këtë gjë edhe sonte, në Wanda Metropolitan.
Në anën tjetër, Manchester City është eliminuar në tri nga pesë sezonet e fundit në këtë fazë të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, Pep Guardiola do të tentojë ta përmirësojë këtë statistikë, duke filluar nga sonte.
Schalke nuk është favoriti për ta fituar këtë ndeshje kundër kampionëve në fuqi të Premierligës, megjithatë gjasat e tyre përmirësohen kur kujtohet se Manchester City do të luajë të dielën kundër Chelseat, në finalen e Carabao Cup, dhe skuadra angleze mund të jetë më pak e përqendruar në këtë ndeshje sesa gjermanët.