Presidenti rus, Vladimir Putin, do të bëjë gjithçka që mundet për t’i ndaluar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike, tha politikani britanik, David Lidington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai ishte zëvendëskryeministër i Qeverisë Britanike në vitin 2018 dhe 2019, derisa kryesohej nga Theresa May, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2016 shërbeu si ministër për Çështjet Evropiane në Qeverinë e David Cameronit.
REL-i foli me Lidingtonin në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, gjatë Konferencës së parë të Sigurisë në Sarajevë.
Nuk shoh një zgjidhje diplomatike në Ukrainë
Radio Evropa e Lirë: Gjatë këtij një viti e gjysmë, që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë, ukrainasit patën mbështetjen e aleatëve të tyre perëndimorë, gjë që i lejoi ata ta mbanin situatën në front pak a shumë të barabartë. Disa argumentojnë se ngërçi ushtarak mund të çojë në një zgjidhje diplomatike. A shihni diçka të tillë në të ardhmen e afërt?
David Lidington: Nuk shoh një zgjidhje diplomatike për momentin, sepse nuk shoh asnjë provë që presidenti Putin është i interesuar për një gjë të tillë. Mbaj mend që gjatë vitit 2014, kur pushtoi Krimenë dhe Donbasin, u fol shumë për zgjidhje të ndryshme, për gjetjen e mënyrës që Putini të tërhiqej pa pësuar goditje në reputacionin e tij.
Ai nuk e shfrytëzoi kurrë një mundësi të tillë. Unë mendoj se kemi dëgjuar fjalimet e tij këtë herë, në të cilat ai mohon në mënyrë eksplicite se Ukraina është një komb i veçantë, mohon të drejtën e Ukrainës dhe ukrainasve për të përcaktuar të ardhmen e tyre, në thelb duke pretenduar se ajo është vetëm një pjesë e Rusisë.
Pra, kjo nuk ka të bëjë me dëshirën për lëshime territoriale, apo përpjekje për të ndaluar anëtarësimin [e Ukrainës] në aleancën e NATO-s ose në Bashkimin Evropian, kjo ka të bëjë me vërtetimin e faktit se Rusia ka ende të drejtën imperialiste për të ushtruar pushtet mbi Ukrainën, por edhe Bjellorusinë, që për sa i përket NATO-s.
Tani për tani, nuk shoh alternativë ndaj Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që të vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armët dhe mbështetjen politike që i nevojitet për të vazhduar luftën.
Pengimi i Putinit për Ballkanin Perëndimor në integrimin evropian
Radio Evropa e Lirë: Shtatë vjet më parë, kur ishit ministër i Britanisë për Çështje Evropiane, ju deklaruat se NATO-ja është ende faktori kryesor i sigurisë në Evropë. Pas rreth dy javësh, mandati i EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë skadon. Është një mandat njëvjeçar, i cili votohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ka shqetësime se Rusia do të vërë veton ndaj rinovimit të këtij mandati. A ekziston rreziku për një “vakuum sigurie” në BeH?
David Lidington: Është e qartë se ekziston një rrezik kur bëhet fjalë për rinovimin e këtij mandati. Por, shpresoj se do të marrim konsensusin e nevojshëm për këtë çështje, sepse për të gjitha arsyet e njohura historike, do të ishte shumë e vështirë për NATO-n të përfshihej në Bosnjë e Hercegovinë, duke marrë parasysh se kush jeton në vend.
Mendoj se deri tani rezultati më i mirë do të ishte rinovimi i mandatit të BE-së.
Personalisht, do të dëshiroja që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të dërgojë përsëri një kontingjent trupash, siç ka bërë shpesh në të kaluarën, derisa Qeveria e Boris Johnsonit të vendosë të tërhiqet pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Mendoj se ishte një gabim dhe shpresoj që Rishi Sunak, ose Keir Starmer, kushdo qoftë kryeministër, të vendosë ta anulojë atë vendim. Por, unë mendoj se gjëja kryesore në gjithçka është rinovimi i mandatit të BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Që nga fillimi i pushtimit rus, NATO-ja ka deklaruar se Moldavia, Gjeorgjia dhe Bosnje e Hercegovina janë në rrezik. Në Moldavi, ekziston çështja e Transnistrisë, një rajon i shkëputur në Gjeorgji. Cilin e shihni si kërcënimin më konkret për Bosnjën, por edhe për të gjithë Ballkanin?
David Lidington: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mendoj se duhet të bëjmë një hap prapa dhe të shohim se cilat janë qëllimet e Putinit këtu. Është një gjë në Ukrainë, ku ai me sa duket dëshiron t’i kthejë ukrainasit në një lloj perandorie sovjetike të rindërtuar.
Sa i përket Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ai dëshiron të vazhdojë të ketë kontroll mbi to, të mbajë forcat ruse në pjesë të territoreve të tyre të njohura ndërkombëtarisht, por në thelb ai dëshiron të mbajë qeveritë në pushtet në ato vende që janë të dobëta, të ndara dhe që përfundimisht do të bëjnë atë që u thotë Moska, edhe nëse kanë pavarësi nominale.
Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, është në interesin e Putinit të destabilizojë institucionet perëndimore, të dobësojë NATO-n dhe BE-në dhe në të njëjtën kohë të zgjerojë ndikimin rus përmes mjeteve të ndryshme diplomatike dhe kulturore që ka në dispozicion.
Është e qartë se në Bosnjë është në interesin e Putinit të mbështesë ndarjen themelore të entiteteve brenda vendit, të përpiqet të theksojë dallimet, tensionet dhe të përpiqet të dobësojë ose parandalojë lëvizjen drejt pajtimit të vërtetë midis komuniteteve, drejt krijimit të një shoqërie të përbashkët në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në rajon, ne e dimë se Rusia dëshiron ta mbajë Serbinë nën ndikimin e saj dhe se paqëndrueshmëria në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u përshtatet interesave të Putinit.
Në të kaluarën, Putini ishte bashkëpunëtor në përpjekjet për të ndryshuar Qeverinë në Mal të Zi. Paratë ruse, natyrisht, përfshihen edhe në Maqedoninë e Veriut.
Çdo gjë që ai mund të bëjë për t’i ndaluar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike, Putini do të përpiqet ta bëjë.
Kufijtë e Kosovës duhet të pranohen
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët disa vende ballkanike me interesa të caktuara ruse. Më pak se një muaj më parë kemi pasur sulme ndaj policisë së Kosovës në veri të Kosovës nga një grup serbësh etnikë, të cilët, sipas rrëfimit të Milan Radojiçiqit ish-liderit politik të partisë Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, po vepronin sipas urdhrave të tij.
Prishtina akuzoi Serbinë se qëndron pas këtyre sulmeve, ndërsa Serbia hodhi poshtë akuzat se ishte e përfshirë. Për këtë arsye ka disa thirrje për sanksione ndaj Serbisë. Si e shihni atë?
David Lidington: Mendoj se situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme dhe nuk mendoj se nuk kanë ndihmuar rrëfimet shumëvjeçare për shkëmbimin e territoreve, të cilat kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë.
Mendimi im është që kufijtë e Kosovës, të cilët njihen nga shumica e vendeve të BE-së, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, duhet të pranohen si të tillë, por edhe Serbia edhe Kosova duhet të gjejnë një mënyrë për të jetuar pranë njëra-tjetrës, si dhe të zotohen për respektimin e traditave fetare dhe kulturore të pakicave dhe vendet e shenjta që ndodhen në territoret e tyre.
Prandaj, është e drejtë t’u thuhet autoriteteve në Prishtinë se duhet t’i respektojnë vërtet vendet e shenjta ortodokse që tani janë në territorin e Kosovës dhe se duhet t’i respektojnë traditat kulturore serbe. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Beogradin kur bëhet fjalë për pakicat dhe traditat e tyre brenda Serbisë.
Mendoj se kjo është rruga përpara. Ka vendime që duhet t’i marrin liderët e Kosovës dhe vendime që duhet t’i marrë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Serbia është kandidate për anëtarësim në BE dhe nëse duan anëtarësim, që është në interesin e tyre më të mirë, veçanërisht ekonomik, dhe nëse Vuçiqi e dëshiron, do të duhet ta zgjidhë çështjen e Kosovës, sepse BE-ja mund të pranojë vetëm një vend me kufij të përcaktuar dhe territor të njohur.
Radio Evropa e Lirë: A do të thoni se pozita e Britanisë së Madhe në BeH dhe në Ballkan është forcuar apo dobësuar pas BREXIT-it? Sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse ne kemi disa liderë politikë në listën e sanksioneve britanike për kërcënimin e paqes dhe thirrjeve për shkëputje.
David Lidington: Unë, personalisht, kam qenë kundër largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe mendoj se është turp që ne ende nuk jemi prezent të kemi një ndikim të fortë në politikën kolektive të Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor. Mendoj se kemi luajtur një rol shumë konstruktiv dhe me ndikim në formësimin e politikës së BE-së në këtë fushë. Megjithëkëtë, angazhimi i Britanisë së Madhe ndaj Ballkanit Perëndimor mbeti shumë i fortë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu, duan të bëhen anëtare të BE-së dhe NATO-s, dhe Britania e Madhe, pavarësisht se është larguar nga BE-ja, mbështet absolutisht ambiciet e Bosnjws dhe fqinjëve të saj për anëtarësim të plotë.
Prandaj, angazhimi për integrimin euroatlantik të Bosnje dhe Hercegovinës dhe rajonit nuk është zvogëluar aspak dhe nuk do të ndryshojë as nëse vitin e ardhshëm ndryshon Qeveria në Britaninë e Madhe, gjë që është e mundur.