Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, Hajdar Beqa, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për keq qeverisje, abuzim me pushtetin dhe lidhje me grupe kriminale.
Ky reagim i Beqës vjen pasi dje u shkarkua Berat Hadri nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndermarrjes Publike “Qabrati”.
Postimi i plotë i Beqës në “Facebook”:
Dega e Partisë Demokratike në Gjakovë me shqetësim po përcjell veprimet antiligjore dhe antidemokratike që Kryetari i Komunës dhe mekanizmat tjerë nën udhëheqjen e tij po ndërmarrin me qëllimin e vetëm kontrollimin e çdo poreje të jetës së qytetarëve të Gjakovës, përmes abuzimit me pushtetin që i kanë dhënë qytetarët e këtij vendi.
Në vazhdën e këtyre veprimeve e shohim edhe vendimin e djeshëm me rastin e shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv të Ndermarrjes Publike “Qabrati”, z. Berat Hadri, ku qëllimi i vetëm është eliminimi i njerzëve profesional dhe kredibil, duke krijuar kështu hapësirë për shtrirjen e ndikimit të tij dhe grupeve të interesit të cilat e rrethojnë atë, me të vetmin qëllim: kontrollin dhe zhvatjen e bugjetit të kësaj ndërmarrje përmes instalimit të njerëzve jo profesional, por të dëgjueshëm dhe poltron politikë të tijë.
Kjo nuk ka se si vlerësohet ndryshe, kur raportet vjetore të kësaj ndermarrje kanë treguar se nën udhëheqjen e z. Hadri ka pasur rritje të performancës se të hyrave finaciare, dhe performancë të lartë të menagjimit dhe punës së kësaj ndërmarrjeje.
I bëjme thirrje Kryetarit të Komunës që të mbaj larg duart nga interferimet politike në institucionet që janë asete të Komunës dhe qytetarëve, si dhe i bëjmë me dije se institucionet komunale nuk janë pronë personale e as partiake e tij, por janë institucione të qytetarëve dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës se Gjakovës.
Inkurajojmë zyrtarët e ndershëm dhe punëtorë të ndërmarrjes, si dhe puntorët dhe zyrtarët e të gjitha hallkave të institucioneve komunale ku ata punojnë, që të ruajnë dinjitetin dhe profesionalizmin në ushtrimin e detyrave të tyre, duke mos u frikësuar dhe mos u ndikuar nga këto makinacione poltike të një Kryetari që postin e tij e sheh vetëm si mjet për përfitime materiale personale, dhe mjet për rehatim të njërzve politik dhe nga kampi i tij partiak .
E paralajmerojmë Kryetarin se këto veprime të kundërligjshme të tijat nuk do të mbesin pa u ndëshkuar nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit, por ndëshkimin me të madh ai do ta merr nga qytetarët e ndershëm të kësaj komune, të cilët shohin dhe dinë të vlerësojnë, dhe të cilët përmes të drejtës se votës do ta ndëshkojnë keqqeverisjen e tij, duke e dërguar atë në arkivën historike të mbamendjes si një qeverisje klienteliste, të korruptuar dhe në shërbim të klaneve dhe grupeve të krimit të organizuar, e jo të qytetarëve.