Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mes të këtij muaji pritet të nisë një vizitë të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në kryqendrën evropiane – Bruksel.
Lideri i opozitës do të pritet në takime në Departamentin e Shtetit në SHBA, por siç mëson Demokracia, Memli Krasniqi po ashtu do të takojë edhe zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Gjatë qëndrimit në Washington, lideri i PDK-së do të pritet edhe ne Kongres, në takime të ndara në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përveç kësaj, Krasniqi do të ketë takime edhe në disa prej instituteve dhe think-tanks kryesore amerikane.
Demokracia ka mësuar po ashtu se kreu i PDK-së do të zhvillojë takime edhe me personalitete të njohura, të lidhura me zhvillimet politike në Ballkan, gjatë dy dekadave të fundit.
Para nisjes për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Memli Krasniqi do të qëndroj në Bruksel, për takime në Parlamentin Evropian dhe në Shërbimin për Veprim të Jashtëm Evropian.