1.7 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Liderët po e testojnë elektoratin për zgjedhje të parakohshme

Aktivitetet në terren si dhe takimet me qytetarë të drejtuesve të subjekteve politike kanë nxitur reagimet e analistëve politikë.
Politologu Belul Beqaj ka thënë të dielën për gazetën “Epoka e re”, se takimet e shpeshta me qytetarë po bëhen për ta prekur pulsin politik dhe për t’i analizuar veprimet e liderëve politikë. Sipas tij, është interesant fakti se deri më tani liderët vëmendjen kryesore e kanë pasur tek reagimet e ndërkombëtarëve, kurse tani u kanë kthyer qytetarëve të harruar.

“S’di sa mund të themi se këto takime janë paralajmërime për zgjedhje të parakohshme kur në vjeshtë ligjërisht duhet të zhvillohen zgjedhjet lokale të cilat janë uverturë më serioze për forcat reale të faktorëve politikë. Por, është shqetësues fakti se me vite të tëra këta liderë vëmendjen kryesore e kanë pasur se si po reagojnë ndërkombëtarët, ndërsa pas disa viteve po u kthehen qytetarëve të harruar. Gjithsesi këto takime të shpeshta me qytetarët po bëhen për ta prekur pulsin politik dhe për t’i analizuar veprimet e liderëve politikë të cilët kanë mbështetur apo jo politikat e deritanishme”, është shprehur Beqaj.

Edhe njohësi i rrethanave politike, Behxhet Shala, ka thënë të dielën për gazetën “Epoka e re” se përmes shtimit të takimeve, liderët partiakë janë duke testuar anëtarësinë që në rast se do të ketë zgjedhje, të jenë sa më të përgatitur.

Sipas tij, ky mund të jetë një testim për ta matur pulsin e qytetarëve nëse janë për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

“Aktivitetet e liderëve politikë nëpër terren mund të konsiderohen si paralajmërime apo parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme. Në një farë mënyre mund të konsiderohet edhe si kërcënim i liderëve ndaj njëri-tjetrit për të shkuar në zgjedhje. Mendoj se është një lloj testimi në terren se si po reagon opinioni. Pra, mund të jetë një testim për ta matur pulsin e qytetarëve nëse janë për mbajtjen e zgjedhjeve. Është një kohë kur janë shtuar takimet e liderëve dhe të gjithë po e testojnë anëtarësinë dhe po rrinë të gatshëm që, në rast se ka zgjedhje, të jenë sa më të përgatitur”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se liderët politikë e kanë për obligim të jenë në kontakt me strukturat dhe elektoratin e tyre vazhdimisht, e jo këtë ta bëjnë vetëm në prag të zgjedhjeve.

“Është detyrim partiak dhe elektoral që të mbajnë kontakte të shpeshta me votuesit e tyre, por deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë tash e tutje”, është shprehur ai.
Megjithatë, Shala ka thënë se njëherë përnjëherë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, zgjedhjet nuk janë zgjidhje meqë skena politike nuk do të ndryshojë aspak.

“Megjithatë, nëse do të ketë zgjedhje, problemet nuk do të zgjidhen, madje do të shkaktohet një tollovi edhe më e madhe sepse koalicionet që po flitet të bëhen, nuk mund të sigurojnë një stabilitet të Kosovës sikurse që nuk sigurojnë as zbatimin e marrëveshjeve apo detyrimeve që Kosova i ka marrë karshi ndërkombëtarëve. Prandaj, mendoj se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, meqë skena politike nuk do të ndryshojë aspak. Madje ka gjasa të jetë një prapakthim apo një stërkeqe më e madhe në skenën politike”, ka theksuar Shala.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img