Zgjedhja e presidentes së re të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka gëzuar liderët e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kanë thënë se ky është lajm i mirë për Kosovën.
Haradinaj ka thënë se ka besim të plotë që Komisioni Evropian nën udhëheqjen e saj, do të kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane.
Përmes një postimi në Facebook, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se zgjedhja e Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian është lajm i mirë për Kosovën dhe rajonin, shkruan Reporteri.net.
Kryediplomati kosovar ka shkruar se pret me padurim të punojnë më presidenten e re për perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për qytetarët, si një element i rëndësishëm për perspektivën evropiane.
Zgjedhjen e Ursula von der Leyen në krye të presidencës së Komisionit Evropian e ka mirëpritur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ursula von der Leyen u emërua sot zyrtarisht si presidente e Komisionit Evropian. Pro emërimit të saj votuan 383 ligjvënës evropianë, 327 e kundërshtuan dhe 22 abstenuan.