Pas reagimeve se ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shfrytëzuar pozitën qeveritare për të lidhë marrëveshje me një kolegj privat në të cilin është i angazhuar si profesor dhe merr pagë, ai ka thënë se sot kishte në plan të nënshkruante marrëveshje me Universitetin e Prishtinës, por se kjo është shtyrë për ditën e nesërme.
“Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme”, ka shkruar Aliu.
Aliu më herët bëri të ditur se nënshkroi marrëveshje me një kolegj privat “në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore”.
Por, kritik ndaj kësaj marrëveshje u shpreh ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, i cili tha se kjo është shkelje e premtimeve të Vetëvendosjes.
Megjithatë, Aliu thotë se qasja e Ministrisë që udhëheq ai nuk do të jetë diskriminuese.
“Bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon Ministria jonë. Ne besojmë tek kapacitetet intelektuale e profesionale të shoqërisë dhe shtetit tonë. Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë. Jemi të përkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojmë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst”, ka thënë Aliu.
Për këtë çështje reaguan edhe ish-anëtari i VV-së, Rron Gjinovci dhe analisti politik, Imer Mushkolaj.