Site icon PrishtinaPress

Liberalizimi për serbët me pasaporta të Serbisë, Kadiu: Pasaportat ilegale shkelin sovranitetin e Kosovës

Klisman Kadiu, këshilltari për media në zyrën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka reaguar pas miratimit të Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian mbi raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë.

Kadiu tha se shprehin keqardhje për këtë votim, i cili sipas tij, nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtime pa viza të qytetareve nga komunitetit serb.

“Qytetarët tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumente të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre”.

“Ritheksojmë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi”, tha Kadiu.

Tutje, Kadiu tha se ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur sipas tij, vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuar në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së.

“Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”, tha ai.

Exit mobile version