0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Liberalizimi i vizave sot në rend dite në BE

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, të enjten, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel. Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Pasi presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë letër.

Presidenca Çeke përmend aty pikërisht liberalizimin e vizave për Kosovën si shembull se si BE-ja mund të rrisë besueshmërinë në rajon.

“Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE, që është shumë i vonuar tashmë. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor (dhe një prej pak vendeve në Evropë) që akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në. Ky fakt ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së”, thuhet në letër.

Aty, po ashtu, rikujtohet rrugëtimi i Kosovës drejt përmbushjes së kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

“Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në letër.

Ndërkohë që presidenca Çeke e BE-së theksoi se pret që Komisioni Evropian të konfirmojë mendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, ky i fundit në raportin e djeshëm ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, raporton KosovaPress.

“Ambicie e Presidencës Çeke është që të ndërtojë mbështetje mes shteteve anëtare dhe të nisë procedurën relevante legjislative, që do të rezultojë me relaksimin e regjimit të vizave për Kosovën”, thekson letra.

Përmes saj, Çekia thotë se i kupton edhe shqetësimet e disa vendeve anëtare të BE-së për implikimet që mund t’i ketë liberalizimi i vizave për Kosovën për sigurinë e brendshme të tyre. Për këtë arsye, ministritë e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare janë më shumë të rezervuara për të miratuar liberalizimin e vizave, sesa ministritë e Punëve të Jashtme.

Çekia, megjithatë, thirret në vlerësimin e Komisionit Evropian për adresimin e këtyre shqetësimeve.

“Komisioni Evropian është i bindur se dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk paraqet rrezik për vendet anëtare në formën e valës së imigrimit”, thotë Presidenca çeke, duke shtuar se edhe Kosova ka marrë masa për t’i adresuar këto shqetësime.

“Vlen po ashtu të theksohet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 3 gusht rezolutën për liberalizimin e vizave. Me këtë rezolutë, institucionet e Kosovës zotohen t’i zbatojnë të gjitha reformat, për të garantuar sundimin e ligjit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidenca çeke vlerëson lart miratimin e kësaj rezolute, e cila është një dëshmi e rëndësishme e përkushtimit nga ana e Kosovës”, thuhet në letër.

Diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian publikoi raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Burimet diplomatike në Bruksel e shohin qëllimin e Çekisë që të nisë procedurën për vendimin për liberalizimin e vizave si dëshmi se tashmë ekziston një mbështetje e madhe për këtë në Këshill.

Por, përkundër kësaj, ato hezitojnë të përmendin afate se kur do të miratohej vendimi dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen. Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img