Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen ose siç njihet si liberalizmi i vizave, në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit, ka nisur që nga viti 2010, por sinjalet që aktualisht dërgohen, qoftë nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vetë institucionet e Kosovës, flasin për skepticizëm që kjo të realizohet së shpejti, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe të integrimeve evropiane.
Sipas tyre, qoftë në Kosovë, qoftë edhe brenda vetë trupave të Bashkimit Evropian, ekzistojnë mendime të ndryshme nëse Kosova i ka përmbushur kriteret për të marrë liberalizimin e vizave.
Përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendet e caktuara të Bashkimit Evropian e kanë një bazë të argumenteve për të bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovës.
Sipas tij, që në vitin 2016, Kosovës i janë kërkuar hapa konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, por, as pas katër vjetësh, siç thotë ai, Kosova nuk ka shënuar ndonjë rast konkret të tillë.
Po ashtu, sipas tij, një faktor pengues për përparimin e Kosovës, ndonëse nuk është i lidhur drejtpërdrejtë si kriter për liberalizimin e vizave, është ngrirja e dialogut me Serbinë.
“Nëse Kosova shënon progres në këto dy fusha, pra, fillon dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe kemi raste konkrete në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, padyshim që atëherë krijohet një ambient, ku BE-ja, në veçanti shtetet skeptike, do ta kenë shumë më vështirë që të bllokojnë liberalizimin e vizave”, thotë Shasha.
Artan Murati, profesor i të Drejtës së Bashkimit Evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që kërkesës së disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që Kosova ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelin e lartë, kjo e fundit nuk i është përgjigjur.
Për më shumë, ai thotë që raportimet e fundit të Transparency International, tregojnë që Kosova ka degraduar në luftën kundër korrupsionit.
Ndërkohë, sipas tij, edhe specifikat brenda disa vendeve anëtare të BE-së, aktualisht nuk janë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Kanë telashe në politikën e brendshme, do të thotë, me politikën e brendshme, sepse numri ose vala e madhe e migrantëve, të cilët kanë shkuar në këto shtete, sidomos në Francë, Gjermani dhe Holandë, ka ndikuar që për disa politikanë brenda këtyre shteteve, të ketë kosto politike, për faktin se i kanë përkrahur këto lëvizje. Normalisht që janë të frikësuar që nëse shtetet e tyre, nën udhëheqjen e tyre, do t’i hiqnin vizat për një vend, i cili ka qenë problematik për sa i përket migrimit ilegal më herët, mund të ndikojë edhe më tepër në rënien politike të tyre”, vlerëson Murati.
Edhe Demush Shasha shpreh mendimin se çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës nuk duhet parë si të shkëputur nga ajo që po ndodh brenda vendeve të Bashkimit Evropian dhe agjendës së zgjerimit të saj për Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, rasti i mosliberalizimit të deritashëm të vizave për Kosovë dhe mos-hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE, kanë ngjashmëri që ndërlidhen me politikat që kjo e fundit i ka ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në të dy rastet, prapë është Këshilli i BE-së, i cili e ka ndaluar përparimin, në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në rastin e Kosovës. Prandaj, është e saktë që brenda BE-së mbretëron momentalisht një skepticizëm për agjendën e zgjerimit. Por, një diskutim e kemi parë të mbahet edhe për vetë të ardhmen e Evropës, gjatë viti 2020. Në këtë drejtim, ka pjesë të përgjegjësisë edhe pjesa e vullnetit politik brenda shteteve anëtare të BE-së, por ajo është jashtë kontrollit tonë”, thekson Shasha.
Ndërkaq, Artan Murati vlerëson se në situatën aktuale është vështirë që të ketë ndonjë lëvizje pozitive lidhur me një liberalizim të mundshëm të vizave për Kosovën. Por, sipas tij, Kosova, duhet të bëjë përpjekje më të mëdha në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe që t’i shfrytëzojë elementet që janë në favor të mundësimit të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave.
“Në BE, shteti i Kroacisë dhe ai i Gjermanisë do ta kenë Presidencën gjatë këtij viti. Që të dyja, në njëfarë mënyre, janë mike të Kosovës dhe ka gjasë që ta fusin Kosovën si pjesë të agjendës në takimet e Këshillit të Ministrave të BE-së. Mirëpo, vetëm futja në agjendë nuk është e mjaftueshme, sepse duhet një votim pozitiv me shumicën e kualifikuar të votave. Kjo duhet të sigurohet me lobim dhe me qasje serioze nga ana e Kosovës e që ne as këtë nuk e kemi, sepse tash e sa muaj – që gjysmë viti – ne jemi pa institucione funksionale dhe faktikisht jemi nën kujdestari institucionale”, thekson Murati.
Gjatë vizitës në Kosovë, ditën e enjte, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur qëndrimin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, duke thënë se “është koha e duhur që të lëvizet dhe të përfundohet me kërkesat teknike”, por ai gjithashtu, ka shtuar se nuk mund të garantojë asgjë pasi që vendimi merret nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidenti Thaçi, ndërkaq, ka shprehur zhgënjimin, siç ka thënë ai, të qytetarëve, për mosliberalizimin e vizave dhe për, siç i ka quajtur ai, standardet e dyfishta në raport me Kosovë, pavarësisht përmbushjes së kritereve nga ana e kësaj të fundit. Ai e ka cilësuar këtë si trajtim të padrejtë dhe të pabarabartë të Kosovës nga ana e BE-së, i cili duhet të marrë fund.