Site icon PrishtinaPress

Liberalizimi i janarit gëzon mërgimtarët, i presin vizitat e kosovarëve

Viti i Ri kësaj radhe erdhi me një dhuratë të bukur për kosovarët.

Nga janari iu mundësohet lëvizja e lirë pa viza, vendim ky i cili ishte marrë më 19 prill në Parlamentin Evropian.

Kosovarët pa viza sipas rregullave, do të kenë mundësi që udhëtojnë në Bashkimin Evropian për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

Bashkë me këtë, vijnë edhe vizitat tek familjarët që jetojnë nëpër Evropë.

Por, si po e presin mërgimtarët këtë gjë?

Për Asmon Brahimajn i cili jeton në Zvicër, heqja e vizave është një lajm shumë i mirë dhe ai për Klankosova.tv është shprehur se mbi të gjitha është edhe lehtësim për të dyja palët.

Brahimaj si një aspekt të lehtësimit theksoi edhe pritjet në ambasada, që siç u shpreh ai, nuk do të ndodhin më.

“Është një lehtësim për të gjithë, si për ne që jetojmë në Evropë, ashtu edhe për ata që do të udhëtojnë pa viza. Nuk do të ketë më pritje nëpër ambasada dhe refuzim të vizave”, tha ai.

Por, sipas tij një vendim i tillë është i vonuar dhe gjithashtu tha se pret që në fillim të ketë lëvizje më të madhe në drejtim të shteteve evropiane.

“Për mendimin tim është shumë vonë e aprovuar lëvizja pa viza, për një arsye të vetme, që çdo njeri duhet të ketë mundësinë për të parë realitetin e jetës në Evropë”.

“Në fillim do të jetë një lëvizje pak më e madhe në drejtim të shteteve evropiane, por besoj që me kalimin e kohës do të zvogëlohet lëvizja, ashtu siç ka ndodhur edhe me shtetet e tjera”, është shprehur Brahimaj.

Liberalizimin e vizave, si vendim të duhur e konsideron edhe Besa Desku e cila jeton në Gjermani.

Ajo është shprehur e lumtur që tani do të mund të ketë vizita nga të afërmit e saj që jetojnë në Kosovë.

Madje, Desku për Klankosova.tv tha se kjo është një mundësi shumë e mirë që kosovarët të shohin bukuritë e shteteve të Evropës.

“Ky ka qenë vendimi më i duhur që është marrë ndonjëherë për vendin dhe qytetarët tanë”.

“Më e rëndësishmja është që tani përveç se do të mund të na vizitojnë, pra t’i vizitojnë të afërmit e tyre në diasporë, ata që jetojnë në Kosovë do të kenë mundësinë edhe të shëtisin lirshëm dhe t’i shohin të gjitha bukuritë e perëndimit”, është shprehur ajo.

E pas liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës i ka informuar qytetarët në lidhje me procedurat për udhëtim jashtë vendi.

“Nga 1 janari, pa viza! Të keni: pasaportë, akomodim, biletë kthyese, dëshmi financiare. Vetëm vizita afatshkurta, jo punësim. 90/180 ditë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Exit mobile version