Site icon PrishtinaPress

Lewandowski për ndeshjen me Rusinë: Nuk mund ta imagjinoj të luaj kundër agresorit

Robert Lewandowski e ka përkrahur vendimin e Federatës Polake të Futbollit për të mos e zhvilluar ndeshjen me Rusinë, e vlefshme për play-offin e Botërorit 2022.

Polakët njoftuan zyrtarisht sot se nuk do ta zhvillojnë ndeshjen e 24 marsit në Moskë pas sulmit ushtarak që e bëri Rusia ndaj Ukrainës, shkruan “Gazeta Express”.

Edhe vetë kapiteni i Polonisë thotë se nuk do të ishte i gatshëm të luajë kundër rusëve në një moment aq delikat.

“Është vendimi i duhur. Nuk mund ta imagjinoj të luaj kundër Kombëtares së Rusisë në situatën kur agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon. Futbollistët dhe tifozët rusë nuk janë përgjegjës për këtë, por ne nuk mund të pretendojmë se nuk po ndodh asgjë”, ka shkruar futbollisti i Bayern Munichut.

Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Cezary Kulesza ka thënë se polakët do të flasin edhe me Kombëtaret tjera, për të dalë më pas me një qëndrim të përbashkët.

“Nuk ka më kohë për fjalë, është koha për veprim. Për shkak të eskalimit të situatës dhe agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, ekipi kombëtar polak nuk e ka ndërmend ta zhvillojë ndeshjen e play-offit kundër Rusisë. Ky është vendimi i duhur. Ne jemi në bisedime me Federatat e Suedisë dhe të Republikës Çeke për t’ia treguar qëndrimin tonë FIFA-s”, ka thënë kreu i futbollit polak.

Rusia po vazhdon të marrë goditje të njëpasnjëshme në aspektin sportiv pas sulmit që ia bëri Ukrainës, të cilën po synon ta pushtojë. /Gazeta Express/

Exit mobile version