Site icon PrishtinaPress

Letërsia është e dashura ime, Anton Çehov

Anton Çehov, dramaturgu i madh rus, ishte me profesion mjek. Çehovi kreu studimet për mjek dhe e konsideronte mjekësinë me respekt të plotë. Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ka thënë ai, ndërsa “letërsia është e dashura ime”. Por hoqi dorë nga mjeksia, kur gaboi një presje në përcaktimin e gramëve të një doze për mjekimin e një pacienti. I hyri frika për pasojat që mund të sillte ky gabim i tij dhe menjëherë vrapoi në shtëpinë e pacientit, kur për fat akoma receta nuk ishte dërguar tek farmacisti. Frika i hyri gjithashtu edhe kur në familjen e një të afërmi të tij, ku të gjithë pjesëtarët u sëmurën nga tifo dhe si pasojë vdiqën nëna dhe vajza e vogël. Çehovi u dërrmua kaq shumë nga kjo gjë, saqë hoqi nga porta e shtëpisë emërtimin “mjek kirurg”. Qysh atëherë ai e braktisi profesionin e mjekut, për t’u bërë ai që njeh sot letërsia ruse dhe ajo botërore, një shkrimtar i madh.
Anton Pavlloviç Çehovi lindi në 29 janar të vitit 1860. Mbasi mbaroi shkollën greke të qytetit, Antosha hyri në gjimnaz me sakrifica të mëdha. Gjimnazi, si gjithë shkollat e atëhershme jepte një kulturë të kufizuar dhe kishte mësues që i trembeshin çdo gjëje të re përparimtare. Çehovi i ri, duke qenë i pakënaqur nga shkolla, fillon e jepet pas letërsisë dhe teatrit. Atë që s’ia jepte shkolla, ai e gjente nëpër librat dhe shfaqjet e teatrit të qytetit.
Pas gjimnazit shkoi në Moskë, ku hyri në universitet, në fakultetin e mjekësisë. Gjatë viteve universitare Çehovi filloi veprimtarinë letrare, duke botuar shkrimet e tij të para. Gjatë kohëve të studimit, që zgjatën 7 vjet, ai botoi 4 libra me tregime, duke u nderuar edhe me çmimin “Pushkin”. Profesioni asnjëherë nuk e pengoi Çehovin në punën letrare, përkundrazi e ndihmoi për të njohur njerëzit dhe jetën nga afër.
Çehovi është nga mjeshtrit më të mëdhenj të prozës. Ai i ka të rrallë shokët në letërsinë e përbotshme. Novelat më të mira janë kryevepra të kësaj gjinie. Novelat dhe tregimet e Çehovit dallohen për shumë anë origjinale. Autori duke venë në qendër të veprës një problem të kohës, e konkretizon këtë nëpërmjet detajeve psikologjike në personazhe të gjallë dhe realistë. Çehovi, si mjeshtër i madh formuloi ligjet e tregimit. Ai kërkonte që shkrimtarët të shkruajnë shkurt e thjeshtë. Çehovit i përkasin shprehjet: “Lakonizmi është motra e talentit “. Arti të shkruarit është arti i të shkruarit shkurt”. “Duhet të shkruajmë thjeshtë”.
Karriera e tij përfshin dhe katër drama të rëndësishme, si : “Xhaxha Vanja”, “Tre motrat”, “Kopshti i qershive” dhe “Pulëbardha”. Çehovi hoqi dorë nga teatri pas dështimit të dramës “Pulëbardha” në vitin 1896, por vepra u rivu në skenë në 1898 nga Teatri i Moskës, duke bërë një bujë të vërtetë.
Këto katër vepra paraqesin një sfidë për aktorët ashtu edhe për audiencën, sepse në vend të veprimeve konvencionale Çehovi ofron një “teatër të humorit” dhe “një përmbytje të jetës në tekst”.

/PrishtinaPress/

Exit mobile version