Surprizat në ndeshjet e para çerekfinale play off në të dyja Komnferencat në NBA kanë vijuar edhe sot.
Miami, që u kualifikua pas fazës “play in”, fitoi 130-117 në fushën e Milwaukee, ekipit me rezultatin më të mirë në sezonin e rregullt. Jimmy Butler me 35 pikë e 11 rebound ishte lider për Miami, duke i bërë të pavlefshme 33 pikët e Middleton.
Por, lajmi më i keq për Bucks është dëmtimi i Giannis Antetokounmpo, që u vra në shpinë pas një rrëzimi, pas vetëm 10 minutash lojë. Edhe Miami pësoi një dëmtim, Herro, që pësoi një frakturë të dorës dhe mbylli sezonin.
Befason edhe ekipi i Lakers, që fitoi 128-112 në fushën e Memphis, duke bërë një ndeshje të mirë. Pesë lojtarë të Lakers realizuan mbi 19 pikë, çka tregon për forcën e kolektivitetit. Hachimura me 29 pikë ishte shënuesi më i mirë, ndërsa 31 pikët e Jackson për vendasit mbetën për statistikë.
Surprizon edhe Clippers, që falë 38 pikëve të Kawhi Leonard, mundi 115-110 Phoenix. Durant e Booker realizuan 53 pikë së bashku, por që s’mjaftuan. Nuk zhgënjen Denver, që mundi 109-80 Minnesota, ndeshje e fituar pa probleme nga vendasit (Murray 24 pikë më i miri).