1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Lëmsh në BE për liberalizimin e vizave, a po e demanton Komisioni Europian Varhelyin?

Vetëm një ditë pasi Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi tha se Komisioni Europian është i gatshëm që bashkë me vendet anëtare ta përpilojë një udhërrëfyes shtesë për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, në KE thanë sot se s’kanë planifikuar diçka të tillë.

Komisioni Europian sqaroi sot se mbetet në qëndrimin e vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që t’i liberalizohen vizat.

“Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave i vitit 2012, e të cilat kanë të bëjnë me riatdhesimin dhe riintegrimin, sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, sigurinë dhe rendin publik, si dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Europian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit.

Në KE e konsiderojnë të vonuar vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Qëndrimi i Komisionit është tashmë në Këshillin e BE-së.

“Nuk po flasim për ndonjë udhërrëfyes të ri”, tha Pisonero.

Në një debat të zhvilluar të hënën në Parlamentin Europian, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, paralajmëroi një udhërrëfyes shtesë për Kosovën, për t’i adresuar, siç tha, “shqetësimet specifike” të disa vendeve.

“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për t’i adresuar shqetësimet specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, tha Varhelyi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img