Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve të ndryshme mes qytetarëve në vendin tonë. E në shumë raste, kërcënimet janë serioze dhe ngjallin frikë e pasiguri te viktimat, të cilët kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga Policia.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një lokal në rrugën ‘Dardania’ në Fushë Kosovë, ku një person i cili kishte hyrë brenda të kërkojë lëmoshë, dyshohet se ka kërcënuar një 42-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku ka pohuar se pas një konflikti verbal, i dyshuari e ka kërcënuar me thikë, duke i thënë se do ta presë.
Si rezultat i denoncimit, 64-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.