Kandidati për deputet nga AAK-ja, i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, pas sulmit që ia bëri kryetarit të partisë së lartpërmendur, Ramush Haradinjat.
Ai thotë se fyerjet e Gërvalles në Deçan ndaj Haradinajt, nuk janë thjesht sulme personale, por janë sulme ndaj një simboli të luftës dhe sakrificës për këtë vend.
“Donika Gërvalla e ka treguar shumë herë mungesën e respektit për vlerat e Kosovës dhe për ata që sakrifikuan për lirinë e saj. Fyerjet e saj në Deçan ndaj Ramush Haradinajt nuk janë thjesht sulme personale, por janë sulme ndaj një simboli të luftës dhe sakrificës për këtë vend. Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet një nga figurat më të guximshme dhe më të përkushtuara në mbrojtje të Kosovës, dikush që ka paguar një çmim të jashtëzakonshëm për lirinë që sot gëzojmë”, shkruan Lekaj në Facebook, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai thotë se është turp që një përfaqësuese e qeverisë së Kosovës përdor podiumet politike për të denigruar njerëz që kanë bërë gjithçka për këtë vend, sidomos në Deçan, një vend i shenjtë për historinë dhe sakrificën tonë kombëtare.
“Në vend që të flasë për sfidat dhe prioritetet që ka Kosova, Gërvalla zgjedh të përdorë gjuhë përçarëse dhe fyese. Kjo tregon qartë se ajo nuk e ka kuptuar dhe nuk mund ta përfaqësojë denjësisht Kosovën. Le t’i kujtojmë Gërvallës dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e saj përçarëse se Ramush Haradinaj ka dalë faqebardhë përballë drejtësisë ndërkombëtare dhe historisë, ndërsa ajo do të mbahet mend për sulmet e ulëta dhe dështimet e saj politike. Kosova nuk ka nevojë për gjuhë urrejtjeje, por për bashkim, vizion dhe respekt për ata që na sollën këtu ku jemi sot”, ka shkruar më tej Lekaj.