Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së për shkuarje në zgjedhje të reja.
Lekaj ka thënë se LDK ka qenë edhe më parë në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë.
Sipas tij opozita gjithmonë kërkon zgjedhje, por LDK nuk e ka shumicën për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.
Ai më tej tha se Qeveria Haradinaj po punon për të mirën e këtij vendi.
“Ne jemi në krye të ekzekutivit bashkë me partnerët tjerë të koalicionit për t’i shtyrë përpara proceset që nuk janë aspak te lehta për vendin. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mirën e këtij vendi e askujt nuk mund t’ia ndalim që të mendojë për zgjedhje”, ka deklaruar Pal Lekaj, përcjell Gazeta Blic.
“Sidomos kur bëhet fjalë për disa që kanë qeverisë me Kosovën deri dje e në fakt asgjë s’kanë bërë për të, e tani në këtë kohë kur Kosova ka nevojë për qeverinë Haradinaj këta bëjnë thirrje për zgjedhje, nuk mendoj se janë ka mendojnë mirë për vendin, ma shumë e kanë për vete”, tha ai.
“Opozita çdo herë kërkon zgjedhje, por LDK nuk e ka shumicën e votave për ta rrezuar Qeverinë Haradinaj”, ka përfunduar nënkryetari i AAK-së.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme në një konferencë për media Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje kjo për shkak të keqqeverisjes së Qeverisë Haradinaj.
Hoti i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që ta rrëzojë veten ose siç tha ai, shpejt do të nisin mocionin e mosbesimit.
Ai tha se kjo Qeveri është pakicë si në Kuvend ashtu edhe në secilin prej Komisioneve.
“Unë po çuditna kur e thonë se qeveria është stabile, në kushte normale ata duhet menjëherë të dalin para kuvendit dhe të japin dorëheqje.
Qëndrimi i kryesisë së LDK-së nga mbledhja e para disa ditësh është vendim që vendi nuk duhet të qeverisët nga kjo qeveri e pakicës dhe as temat e mëdha nuk mund të adresohen nga kjo qeverie, njëjtë siç është dialogu me Serbinë”, është shprehur Hoti.