Site icon PrishtinaPress

Legjenda Carmen Martin në Prishtinë, bashkëbisedon me hendbollistet e reja

Të premten paradite është mbajtur ngjarja “Respect Your Talent” (respektoni talentin tuaj) në kuadër të Kampionatit Evropian U19 për hendbolliste. Është ky një program i Federatës Evropiane të Hendbollit që për synim ka motivimin e lojtareve të reja.

Për t’u treguar hendbollisteve të reja rrugën drejt suksesit, në Prishtinë erdhi legjenda spanjolle e hendbollit, Carmen Martin, njoftoi Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Lista e sukseseve të 35-vjeçares është shumë e gjatë. Tri herë është zgjedhur në ekipin më të mirë të Kampionateve Evropiane, ndërsa një herë ishte pjesë e ekipit më të mirë të Kampionatit Botëror. Ishte edhe në ekipin më të mirë të Ligës së Kampionëve, garë të cilën e ka fituar me CM Bucuresti në vitin 2016. Carmen Martin ka fituar trofe në Spanjë, Slloveni, Rumani e Suedi. Ka suksese edhe në Lojërat Olimpike, Kampionate Botërore e Kampionate Evropiane.

Karriera e saj është frymëzim për të gjitha hendbollistet e reja. Hendbollistet që janë shpallur më të mirat e ndeshjeve të deritashme në Evropianin U19 në Prishtinë, të premten kanë pasur rastin që nga afër të mësojnë se si duhet të bëhet rruga deri në majën e sportit.

Martin u ka treguar atyre për gjërat e rëndësishme për karrierë të suksesshme në sport. Ka folur jo vetëm për temat që kanë të bëjnë direkt me hendbollin, por edhe ndihkimin e mediave, ligjeve të sportit, anti-dopingun, gjendjen mentale, karrierën e dyfishtë, ushqimin e tema të tjera me shumë rëndësi për secilin sportist.

Exit mobile version