Geri Nevil nuk e ka bindur as supergoli i shënuar mbrëmë nga Xherdan Shaqiri në miqësoren mes Liverpulit dhe Mançester Junajtid. Ish-mbrojtësi i famshëm anglez, i cili ka qenë për shumë vite kapiteni i Mançester Junajtid, e kishte etiketuar si “joprofesionist”, mesfushorin gjatë Botërorit, duke vënë në dyshim blerjen e rij nga Liverpuli pas një viti jo të mirë te Stouk.
Pas golit të shënuar mbrëmë nga mesfushori, shumë tifozë të të kuqve u futën në rrjetet sociale duke i kujtuar Nevil ato që kishte thënë pak javë më parë, por ish-futbollisti i cili tani është opinionist sportiv, nuk u kursye përsëri në kritika të reja për lojtarin.
“Unë uroj që të gjithë ju të më shkruani mesazhe sa herë që ta shihni atë duke qëndruar në vijën e mesit të fushës ndërsa skuadra juaj po sulmohet! Oh, ai ka gjithashtu nevojë që përkrah tij të luajë Ronaldinjo “, ishte ironia e Nevil në një tjetër postim në rrjetet sociale.