Site icon PrishtinaPress

Leeds United duhet t’ia paguajë 28 milionë euro ish lojtarit të tyre që luajti 48 minuta

Leeds United është dënuar nga FIFA-s për të kompensuar ish-lojtarin e tyre, Jean- Kevin Augustin me rreth 28 milionë euro.

Sulmuesi francez u mor në janar 2020 nga radhët e RB Leipzigut në formë huazimi me detyrimin blerjeje në rast të promovimit në Ligën Premier, gjë që ndodhi, edhe pse ishte viti kur të gjitha garat u shtyn për disa muaj shkaku i pandemisë.

Augustin luajti vetëm 48 minuta të shpërndara në tri paraqitje në kampionat dhe u largua nga “Elland Road” më 30 qershor, kur skadoi marrëveshja, 17 ditë përpara se Leeds të kthehej në fushë, kur rifilloi kampionati.

FIFA, në vitin 2021, vendosi se Leeds do të duhej ta paguante shumën e detyrimit të shlyerjes ndaj RB Leipzigut, një vendim i konfirmuar edhe nga CAS nëntorin e kaluar, shkruan The Athletic.

Në fund, anglezët dhe gjermanët ranë dakord për 17.5 milionë euro.

Pikërisht në vazhdën e këtij vendimi, Augustin (aktualisht luan te Basel) ka shfrytëzuar rastin për të paditur Leedsin, që tashmë është i detyruar që t’i paguajë të gjithë shumën që lidhet me kontratën pesëvjeçare prej mbi 100 mijë euro në javë, që do t’i takonte për kontratën.

Leeds pritet që edhe këtë vendim ta apelojë në CAS.

Exit mobile version