Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mbajtjen e seancës për votimin e Qeverisë Hoti.
Mbajtja e seancës është kërkuar që të mbahet të mërkurën në orën 11:00.
Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga Kuvendi i Kosovës.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi para mediave ka thënë se kanë dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës.
“Pas marrjes së Aktgjykimit në emër të LDK kam dorëzuar kërkesën për seancë për të mërkurën në orën 11:00 me të vetmen kërkesë të rendit të ditës votimin e Qeverisë së re”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se e kanë të garantuar formimin e qeverisë. Ai ka shtuar se nesër në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së do të zyrtarizohen edhe emrat e ministrave nga ana e LDK-së.
I pyetur rreth marrëveshjes me Listën Serbe, Gashi ka thënë se atë do ta bëjë publike kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar Aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses thuhet se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën.