Site icon PrishtinaPress

LDK thërret interpelancë për vendimin e rritjes së pagave nga kryeministri

Sot, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar kërkesën për interpelancë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me Vendimin e Qeverisë nr. 04/20, të datës 21.12.2017, për rritjen e pagave në kabinetin qeveritar
Siç njofton komunikata, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike, papunësinë dhe nivelin e pagave në vend, e vlerëson të papranueshëm vendimin që kryeministri i Kosovës ta ketë pagën më të lartë krahasuar me homologët e tij në rajon.

“Vendimi i tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm, i paanalizuar dhe krijon një diskrepancë të madhe në mes të të ardhurave të qytetarëve, të ardhurave të të punësuarve të tjerë në sektorin publik me pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Me këtë vendim, diferenca në paga në mes të zyrtarëve të kabinetit qeveritar dhe një shërbyesi civil është rritur nga 1 me 4, në 1 me 8. Kjo diskrepancë është shumë më e madhe për ata që marrin pensione apo ndihma sociale, apo edhe me pagën mesatare në sektorin privat”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Tutje thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2017, në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, ka marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar. Vendim ky i cili tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave për Kryeministrin, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeverisës.

“Andaj nisur nga sa u tha më lartë deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në këtë interpelancë do të kërkojnë nga Kryeministri Haradinaj anulimin e menjëhershëm të vendimit të kundërligjshëm për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar si dhe sjelljen në Kuvend për aprovim, në afat sa më të shkurtër të mundshëm, të Ligjit për Pagat e Sektorit Publik”, përfundon komunikata.

 

Exit mobile version