Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratën e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb”, ku thuhej se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.
Përmes një komunikate, LDK bëri të ditur se si ideatore e projektit politik për Kosovën e Pavarur këtë tubim gjithëserb e sheh si shqetësim.
Ata ftuan miqtë e Kosovës që të marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit për minim të fqinjësisë mes shteteve në rajon, duke shtuar se alarmi i djeshëm atje ishte kurdisje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast.
“Kosova është përcaktuar tashmë, në mënyrë të pa kthyeshme, për rrugën evropiane, ku të drejtat qytetare, ato kulturore si dhe ato etnike përbëjnë bërthamën e zhvillimit dhe bashkëjetesës. Kosova e ndjenë të vetën krejt diversitetin kulturor të saj dhe trashëgiminë që vjen prej atij diversiteti dhe do ta mbrojë dhe deshmojë atë si vlerë të shtuar”, shkruhej në komunikatën e LDK-së.