Site icon PrishtinaPress

LDK pyet Qeverinë: Nëse po bëni punë kaq të mirë sa thoni, pse po e lëshojnë të rinjtë vendin?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar një videomesazh drejtuar Qeverisë Kurti, në të cilën anëtari i partisë, Paris Guri, e kritikon qeverinë për qasjen e tyre ndaj të rinjve të vendit.

Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së, Parisi, ka folur për disa premtime që Kurti i kishte dhënë e që nuk janë mbajtur, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Videomesazhin e filloi me një pyetje.

“Nëse qeveria është duke e bërë një punë aq të mirë sa po e thonë, pse kaq shumë të rinj po e lëshojnë vendin?”.

Ai pati kritika se Qeveria s’e mbajti premtimin për ndërtimin e 4000 banesave për çiftet e reja, që LDK e ka theksuar edhe herë të tjera. Tutje, foli edhe për mungesën e perspektivës në fushën e teknologjisë dhe informacionit në Kosovë.

“Pushteti ka bërë premtime të njëpasnjëshme. Po në vitin e tretë të qeverisjes nga ky pushtet: të rinjtë nuk janë në qendrat e premtuara të inovacionit e as të start up-eve. Nuk janë në fakultetin e premtuar për teknologji informative. Madje, nuk janë as në 4000 banesat e premtuara për çiftet e reja. Ata janë duke u endur korridoreve të ambasadave, me qëllimin e vetëm, ikjen nga Kosova”, ka thënë Guri.

Sipas tij, Kosova është vendosur në hartën e shteteve ku të rinjtë në nivele rekorde duan ta lënë vendin.

“Premtuan që Kosova do të vendoset në hartat botërore të inovacionit, por fatkeqësisht prej kur kanë ardhur në pushtet Kosova është vetëm në hartën e kërkesave rekorde për ta lënë vendin”, ka thënë ai përmes kësaj videoje. /Reporteri.net/.

Video e plotë:

Exit mobile version