Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur nënshkrimet për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Partia e cila ende është pjesë e kësaj qeverie, ka siguruar më shumë se 40 nënshkrime për të thirrur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Një gjë të tillë konfirmon për KosovaPress, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili tha se këto nënshkrime do të dorëzohen sot në Kuvendin e Kosovës.
“Nënshkrimet janë të gatshme besoj që nëse nuk ka lëvizje nga kryeministri Kurti, në fund të orarit të punës do t’i dorëzojmë… (Pyetje: Sa nënshkrime janë?) Më shumë se sa që është e nevojshme. Unë krejt çfarë mund të konfirmoj është se nënshkrimet janë mbledhur më shumë se sa që është e nevojshme”, deklaron Gashi.
Ai nuk tregon se sa nënshkrime janë gjithsej, megjithatë thotë se një gjë e tillë do të bëhet e ditur pasdite.
“Ju e dini që z. Mustafa ia ka dhënë një mundësi z.Kurtit, dhe nuk varet prej neve”, shton ai për KosovaPress.
Partia e Isa Mustafës i ka 28 deputetë, por siç është raportuar janë katër deputetë të cilën kanë kundërshtuar rrëzimin e qeverisë Kurti. 13 nënshkrime janë nga AAK-ja dhe 6 nga Nisma dhe AKR. PDK-ja ende nuk është deklaruar zyrtarisht nëse do ta mbështesë ose jo mocionin e LDK-së. Kjo parti e udhëhequr nga Kadri Veseli i ka 24 deputetë. /kp/