Site icon PrishtinaPress

LDK këmbëngul për zgjedhjet, fton strukturat e veta të fillojnë përgatitjet

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në mbledhjen që ka mbajtur sot ka vlerësuar se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.

Përmes një komunikate për media, ata kanë thënë se Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe në bazë të rregullave të demokracisë, kjo Qeveri konsiderohet e rënë.

Përmes këtij njoftimi ata kanë ftuar partitë politike që të caktojnë sa më parë datën e zgjedhjeve dhe njëkohësisht ka ftuar strukturat e veta që të mobilizohen dhe të intensifikojnë përgatitjet e nevojshme.

Ky është njoftimi i tyre:

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës, në mbledhjen që mbajti sot, vlerësoi se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.

Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe, në bazë të rregullave të demokracisë, kjo Qeveri konsiderohet e rënë.

Temat e rëndësishme për qytetarët e vendit nuk mund të adresohen nga një qeveri e pakicës.

Si rezultat, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.

LDK-ja fton që partitë politike të mblidhen sa më parë për të caktuar datën e zgjedhjeve, në mënyrë që këto zgjedhje të jenë të përgatitura si duhet dhe vullneti i qytetarëve të shprehet lirshëm

LDK-ja është e gatshme që t’i nënshtrohet vullnetit të lirë të qytetarëve në zgjedhjet e pritshme.

Kryesia e LDK-së fton të gjitha strukturat e veta, në të gjitha nivelet, që të mobilizohen dhe të intensifikojnë përgatitjet e nevojshme për zgjedhje.

Exit mobile version