Kryetari i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ka braktisur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kur filloi diskutimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Në pikën e tretë u diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet me ndërkombëtarët”, tha ai.
Hoti shtoi se mbledhja e Kryesisë po vazhdon ende.
“Qëndrimi ynë për Specialen dihet. LDK-ja është kundër shfuqizimit. Ishte në rend dite edhe sot. Të shohim si do të vazhdojnë më tutje shumica parlamentare”, shtoi ai.