Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sqarime për dy nene të propozimit evropian, bëhet e ditur në një komunikatë të kësaj partie pas takimit që krerët e saj patën me Lajçakun të premten.
Në komunikatë thuhet se LDK-ja ka kërkuar sqarime për nenet 7 dhe 10, për “vetëmenaxhimin për komunitetin serb” dhe për pikën që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme”, e që më së shumti është ndërlidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
LDK-ja ka thënë po ashtu se ka kërkuar sqarime edhe për planin implementues.
Sipas njoftimit, LDK-ja ka ofruar përkrahje për procesin e dialogut duke thënë se “mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”.
Kjo parti ka thënë se marrëveshja duhet të përqendrohet te njohja. Sipas LDK-së, asnjë marrëveshje tjetër s’garanton normalizim raportesh.
“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, thuhet në komunikatë.