Site icon PrishtinaPress

LDK historikisht e lidhur me PDK’në në dialog, akuza e qeverisje

Dy partitë më të mëdha në Kosovë, PDK e LDK, po i vazhdojnë përplasjet. Sidomos që tash janë në pozita të ndryshme. Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova për herë të parë ka vendosur të mos jetë pjesë vendimmarrëse në marrëveshjen finale me Serbinë.

Këtë fundjavë kanë shpërthyer përplasje mes dy subjekteve të cilat ndër vite kanë akuzuar njëra-tjetrën për tradhti, për vrajse të pasluftës dhe më pas kanë ndarë pushtetin bashkë, kanë emëruar ambasadorë e kanë ndarë pozita nëpër institucione.

Konfliktit mes LDK’së dhe PDK’së, që së fundmi bazë ka dialogun me Serbinë, i ka dhënë flakë një ndërmjetësues i moçëm i tyre, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, por edhe deklaratat e Kadri Veselit, sipas të cilave veprimet e LDK’së po orkestrohen nga Albin Kurti.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook, ka krahasuar Veselin me të cilin kishin koalicion bashkë, se është provokator sa është edhe  Serbia.

Dy partitë që për gati 20 vjet kanë mbajtur pushtetin në Kosovë, LDK dhe PDK, vazhdojnë gjithmonë armiqësinë aty ku e lanë, pasi përfundojnë bashkëpunimin në pushtet.

E njëjta histori po përsëritet edhe në këtë periudhë kur LDK po reziston të bëhet bashkë me koalicionin qeverisës dhe PSD’në, për t’u përfshirë në dialogun që e udhëheq Presidenti Hashim Thaçi.

Edhe pas zgjedhjeve të vitit 2014, LDK po i bënte rezistencë Thaçit. Madje, për gjashtë muaj, kreu i LDK’së, Isa Mustafa bllokoi Thaçin, i cili s’po arrinte të formonte qeverinë, sepse Mustafa kishte mbledhur rreth vetës të gjithë liderët partiakë, dhe kishte krijuar VLAN’in.

Pas disa muajve bllokadë, Mustafa bëhet kryeministër, ndërsa Thaci, ministër i Jashtëm, derisa të përfundonte mandatin e presidentes, Atifete Jahjaga. Mes mospajtimeve të brendshme, LDK e zgjodhi Thaçin president, duke ia siguruar votat e nevojshme.

Kështu, LDK solli në krye të shtetit, dikur armikun më të madh politik të Presidentit Ibrahim Rugova në vitet që ai udhëhoqi vendin.

Zgjedhjet e vitit 2000 kishin konfirmuar mbështetjen e thellë ndaj LDK’së së Rugovës kundrejt PDK’së së krijuar nga akterët e UÇK’se, e që udhëhiqej nga Thaçi.

Me Rugovën dhe me LDK’në, Thaçi përmirësoi raportet vetëm pasi ish-presidenti vdiq.

Në LDK, e cila atëherë ishte në pushtet, filloi konflikti i brendshëm nga pretenduesit e vendit të Rugovës. Nexhat Daci dhe Fatmir Sejdiu garonin ashpër për pozitën e kryetarit. Sejdiu doli fitues në betejën e njohur të karrigeve.

Zgjedhjet e 2007’ës i fitoi për herë të parë Partia Demokratike, ndërsa LDK’ja, që doli e dyta, kontribuoi në formimin e Qeverisë “Thaçi I”.

Thaçi përmend se ai pranoi që në vitin 2005 t’i bashkohet ekipit të Rugovës për të negociuar rreth statusit të Kosovës në Vjenë. Kjo është një nga metodat që ai provoi ta bindë LDK’në ta përkrahë në bisedimet me Serbinë.

Lidhja Demokratike, që nuk ka dalë asnjëherë partia e parë në zgjedhjet e mbajtura nga 2004, ka qëndruar në opozitë në mandatin 2010-2014.

Partia e Isa Mustafës, që pas ndarjes së Vetëvendosjes, përbën Grupin Parlamentar më të madh në kuvendin e Kosovës, për dy vjet të qeverisjes Haradinaj po kërkon të shkojë në zgjedhje.

Të gjitha sondazhet dhe anketat e vendosin LDK’në partinë e parë, nëse do të shkohej në zgjedhje, dhe këtë po e kërkon me ngulm, duke refuzuar t’i bashkohet Qeverisë në dialogun me Serbinë që është kthyer në çështjen kyçe të funksionimit të Qeverisë.

Duke folur në emër të Qeverisë dhe të bashkëpunëtorit të tij, Thaçit, Veseli tha se ‘neve s’na ka kapur dashnia me Serbinë. Se dihet saktësisht se s’kemi kurrfarë dashnie. Ndoshta dikush tjetër që sot po bojkoton, ka pasur kapak flirtim”.

LDK i reagoi Veselit, me gjuhën rutinore të tash e disa muajve. E konsideron presidentin jokompetent për të biseduar me Serbinë, ndërsa institucionet e tanishme, të pakicës dhe jolegjitime.

Qeveria s’e ka shumicën, dhe nuk e ka as opozita e shpërndarë.

Por gjatë kësaj periudhe të rezistencës, brenda udhëheqjes së LDK’së, ka pasur tundime. Është nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, që e ka përkrahur idenë e lëvizjës së kufijve, si një ndër promovuesit më të mëdhenj të saj, pas presidentit Thaci.

Edhe Haziri, sikurse Thaçi, deklaronte se Serbisë duhet t’i merrej Lugina e Preshevës. Kjo madje e ka çuar atë në përplasje publike me deputetën e dytë më të votuar të LDK’së Vjosa Osmanin, e cila idenë e Thaëit e quante ndarje të Kosovës.

Partia Demokratike edhe më tutje është shkaktarja që çon LDK’në në përplasje. Që nga koalicioni i parë në 2017, pastaj në zgjedhjen e Thaçit president.

Ndërkaq, Thaçi, si figurë emblematike e PDK’së ndër vite ka provuar të rregullojë raportet me rugovistët. Futi në koalicion qeveritar Ukë Rugovën, ndërsa u bë vizitor i rregullt i rezidencës së ish-presidentit në Velani.

Në librin biografik të porositur nga vetë ai, Thaçi dëshmon se vizitat te familja Rugova dhe te varri i tij, i ka veç paraqitje për rastet kur ai e konsideron të nevojshme.  Në disa paragrafë të librit “Shtet i ri, burrështetas modern”, themeluesi i LDK’së quhet alkoolist kronik, të lodhur e të nënshtruar. /Express/

Exit mobile version