Site icon PrishtinaPress

LDK godet Bashkinë e Tiranës për rrugën me emrin e Rugovës: Akt antikombëtar, marrëzi që e tkurr Tiranën

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar pas raportimeve se do të “shkurtohet” rruga “Ibrahim Rugova” në Tiranë. Një segment i një rruge në Tiranë është emëruar “Dëshmorët e 4 shkurtit”, siç raportoi “Top Channel”, 79 vite pas kësaj masakre. Por kjo ka ngjallur reagime në Shqipëri dhe në Kosovë.

Mustafa i LDK-së, ka reaguar në një status në Facebook, ku thotë se problemi qëndron tek “dhënia” e pushtetit tek një pjesë e shoqërisë që kundërshton “vlerat themeltare burimore shqiptare” teksa aktin e konsideron anti-kombëtar.

“Këtë dekadën e fundit, në gjithë shqiptarinë, është promovuar e i është dhënë pushtet (po, dhënë, orkestruar e dorëzuar) një grupi – nga larg duken individ pa asgjë të përbashkët por nga afër është i qartë koordinimi i tyre – që kundërshton dhe lufton vlerat themeltare burimore shqiptare. Këtë, ky grup, e bënë duke u thirrur në ideale multi-kulti komuniste të socialistes ndërkombëtare “proletariati përmbi kombin” veçse tash fjalën “proletariati”, me një përdredhje TikTok-u, e kanë zëvendësuar me “populli”. Më interesantja, po këta kaviar komunistë, socialistë sallonesh, janë të lidhur ngushtë me biznesin dhe krihen si metropolitan modern të salloneve evropiane që qëndrojnë përmbi “prapambeturinë e vlerave kombëtare”, shkruan ai.

Mustafa shton se emri i Ibrahim Rugovës “nuk mund të tkurret”, teksa lidh emrin e tij me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun e Nënën Terezë.

“Në vazhdën e këtyre përpjekjeve është tash tentimi i Tiranës për të tkurrur emrin e Ibrahim Rugovës duke tkurrur, shkurtuar, rrugën me emrin e tij. Kjo marrëzi e tkurr veç Tiranën, assesi Rugovën, viganin e kombit në mesin e atyre nga Gjergj Katrioti deri te Gonxhe Bojaxhiu. Shih për “çudi” si i gëzohen këtij akti antikombëtar saktësisht enveristët dhe neo-enveristët në trojet shqiptare”, shton ai.

Mustafa propozon bashkimin e të djathtës shqiptare dhe madje e konsideron këtë si urgjencë.

“E djathta shqiptare, fatkeqësisht, e dërrmuar jo pak edhe nga betejat e brendshme shpirtvogla e shpirtliga, kemi mbetë anash e i kemi parë “seri” këto shkatërrime nga larg. Bashkimi e forcimi ynë është domosdoshmëri e urgjencë”, përfundon ai.

Exit mobile version