Në një vendim të publikuar më herët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi se ka refuzuar kërkesën e “Klan Kosova” për kthimin e certifikatës së biznesit.
Ky vendim ka nxitur reagime të shumta, si nga bota e gazetarisë, ashtu edhe nga ajo e politikës.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kicca-Xhelili, thotë se mbyllja e Klan Kosova nënkupton vulosje të vrasjes së demokracisë.
“Mbyllja e Klan Kosova nënkupton vulosje të vrasjes së demokracisë.
Asgjë më pak se kaq!
Sot nuk po mbyllet një medium. Sot po shantazhohet e vritet liria e fjalës.
Kushdo që e legjitimon dhe arsyeton NUK përkon me idenë sublime të një Kosove demokratike dhe NUK e lejojmë të na mbajë leksione për demokraci” shkroi Kica-Xhelili.
Ndërkaq, kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, thotë se vendimi në fjalë “është tendencë totalitare e një qeverie e kryeministri autokrat”.
“Këtë tendencë totalitare e ka treguar me arsimtarët në shtator 2022, kur i ka lënë për më shumë se një muaj të protestojnë dhe duke mos ua dhënë mundësinë që të dialogojnë me të. Ai mbyti guximin e mësuesve që kërkonin ndihmë” tha mes të tjerash Lushaku-Sadriu.
Ky është reagimi i plotë i saj:
SHTETI NE RREZIK
Andrra e çdo qytetari të Kosovës ka qenë me e pasë një shtet të LIRË e DEMOKRATIK; një shtet të ndërtuar mbi vlerat e lirisë, e të lirisë së fjalës mbi të gjitha. Për këtë kemi sakrifikuar e luftuar të gjithë.
Sot, Qeveria, paska marr vendim me mbyll Klan Kosova.
Kjo është tendëncë për të cënuar fjalën e lirë; për të kërcënuar gazetarët dhe mbi të gjitha për të mbjelle FRIKË te zërat kritik.
Kjo është tendencë totalitare e një qeverie e kryeministri autokrat për FRIKËSIM!
Këtë tendencë totalitare e ka treguar me arsimtarët në shtator 2022, kur i ka lënë për më shumë se një muaj të protestojnë dhe duke mos ua dhënë mundësinë që të dialogojnë me të. Ai mbyti guximin e mësuesve që kërkonin ndihmë.
E pra, mësuesit njëherë, gazetarët njëherë, …. Ky është regjimi KREJT dhe DREJT.
Një regjim tjertër e kujtojmë, që ka mbyllur RTP-në! Kjo s’guxon të përsëritet!
S’duhet me pasë lider, s’duhet me pasë parti e as qeveri që guxon të prekë karakterin e shtetit tonë! Shtet të lirë, demokratik e mbi të gjitha në shtërbim të gjithë qytetarëve të vet.
Kosova meriton më mirë!