0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

LDK e paralajmëron Kurtin: Të hiqet taksa, ose bie Qeveria

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka thënë se Qeveria duhet të mblidhet për ta hequr taksën. Edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës ndaj mallrave serbe.

“Qeveria duhet të mblidhet për të hequr taksen. Nuk mund të mbesim peng të një vendimi që ka qenë i domosdoshëm, por tash po e dëmton Kosovën”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook, shkruan Telegrafi.

Ai më tej ka thënë se “miqësia e përhershme me SHBA nuk cenohet. Ne e garantojmë këtë miqësi”.

“Nuk është interes i qytetarëve të Kosovës të prishet kjo miqësi, që solli paqen në Ballkan dhe lirinë e pavarësinë për shqiptarët”.

“Nëse dëmtohet miqësia me ShBA, atëherë dëmtohet shtetësia e Kosovës, të cilën gjë nuk lejojmë të ndodhë. Prandaj, me përpara prishet Qeveria, se miqësia me SHBA” ka thënë Hoti.

Edhe zyrtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Llapi i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit me të, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së Amerikës për heqje të taksës 100%.

Në tubimin e LDK-së për zgjedhjet në Podujevë, nënkryetari i partisë Ismet Beqiri tha se ose do të bëhet siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose do të ndahen rrugët, meqë sipas tij nuk ka bashkëpunim me ata që rrezikojnë partneritetin me Amerikën.

Për partneritet të fuqishëm me aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, foli edhe shefi i deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi.

Ai tha se askush nuk mund të prish marrëdhënien e LDK-së me ShBA-të.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot se marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate, por edhe kritike.

Ai ka bërë gjithashtu të ditur se do të bashkëbisedojë me kryeministrin Albin Kurti, si partner i koalicionit, dhe si LDK në ditët në vijim do ti bëjnë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka pasur një takim të gjatë me ambasadorin Richard Grenell në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Hyseni, i cili në Washington ka shkuar me autorizim të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se gjatë një takimi të gjatë dhe shterrues, janë diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Reagimet e sotme vijnë pasi Senatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Kryeministrin Kurti e kanë akuzuar edhe presidenti Thaçi dhe liderë të disa subjekteve politike opozitare se po i prish marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, madje kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar që për këtë çështje, Kuvendi i Kosovës të mblidhet nesër në një seancë të jashtëzakonshme. /Telegrafi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img