Beteja për të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur të ashpërsohet. Tash, ajo është shtrirë edhe në Grupin Parlamentar të saj.
Grupet Parlamentare në Kuvendin e Kosovës, gjatë ditës së djeshme, ishin pajtuar për formimin e një Komisioni ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Bazuar në marrëveshjen e arritur, partitë do të përfaqësoheshin nga shefat e grupeve parlamentare. Por, për të arritur një barazi gjinore në përfaqësim, ata kishin vendosur që LDK, PDK dhe VV, si partitë më të mëdha me të drejtë të përfaqësimit prej dy deputetëve, një prej tyre të ishte grua.
Pikërisht këtu ka dalë në pah lufta brenda LDK-së. Ndonëse LDK-ja ishte pajtuar që në këtë Komision, përveç Shefit të Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, të përfaqësohej edhe nga një deputete, ata e nominuam Arben Gashin dhe jo një grua. Kur kjo ndodhi, grupet tjera reaguan duke thënë se marrëveshja është nënshkruar ndryshe, por ajo po shkelej nga LDK.
Burime të sigurta brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë me dije se Vjosa Osmani ishte përfolur si përfaqësuese tjetër e LDK-së në këtë Komision, meqë me profesion është juriste dhe merret me ligjet, por partia e saj nuk e nominoi.
“E vetmja deputete që ka përgatitje për legjislacionin dhe zgjedhjet në kuadër të deputeteve të LDK-së është ajo, kështu edhe ishte një pajtim që ajo të propozohej. Por, në fund nuk ndodhi. Çudia ishte se nëse nuk bënte Vjosa, pse nuk u propozua një grua tjetër? Pra, ata e dinin se s’kishin më adekuate se ajo”, ka thënë një zyrtar i LDK-së.
Vjosa Osmani se fundi ka shfaqur pretendimet e saj për të qenë Kryetare e LDK-së. Por, ajo po luftohet nga brenda nga nënkryetarët dhe strukturat tjera të LDK-së. Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Agim Veliu dhe kryetari aktual Isa Mustafa thuhet se kanë pretendime për të qenë në krye të partisë. Vjosa Osmani llogaritet si femra më e votuar në Kosovë.
Ajo kishte synuar edhe më herët të hynte në procesin zgjedhor për Kryetar të LDK-së, por nuk ia kishte arritur as të përfshihej në garë.
Se a do të përfaqësohet Vjosa Osmani në këtë komision parlamentar, do të shihet në votimin e radhës. Në votimin e parë, nga 70 deputetë, në votim morën pjesë vetëm 49 çka pamundësoi që votimi të jetë i vlefshëm.