Site icon PrishtinaPress

LDK e ka seriozisht, Hazir Borovci “foli” me Rugovën dhe i tha diçka për amerikanët! (Foto)

Në rrjetet sociale dhe në media mbrëmë dhe sot kanë filluar talljet me kryetarin e degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, Hazir Borovci.

Bëhet fjalë për degën e quajtur “Dega e Presidentit Rugova”, e cila ka shënuar 27 vjetorin e themelimit të saj. Në këtë ceremoni veç anëtarëve dhe simpatizantëve ishin edhe strukturat udhëheqëse të LDK në krye me liderin e saj, Isa Mustafa.

Hazir Borovci është prezantuar si njeri “vizionar” në këtë tubim dhe për ta arsyetuar këtë epitet ai ka mbajtur një fjalim para anëtarëve të LDK-së i cili është duartrokitur nga anëtarësia.

Borovci ka zbuluar në tubim se ka folur me Ibrahim Rugovën te varri i tij. Më pas ka shpalosur edhe përmbajtjen e “bisedës”, transmeton lajmi.net.

“Të nderuar të pranishëm në mesditë i bëmë një vizitë Presidenti historik Rugova. Bashkërisht me një grup veprimtarësh të degës së tretë. E informuam Presidentin për 27 vjetorin për ditëlindjen e degës së tretë , degës së Presidentit”, ka thënë ai.

Megjithatë, një deklaratë e tillë u prit me skepticizëm nga disa, duke mos dashur të besojnë se njëmend ka thënë kështu.

Por, për të vërtetuar se Borovci e kishte seriozisht kur tha “se ka folur me presidentin Rugova”, kjo është pasqyruar edhe në komunikatën e degës së tretë të LDK-së, si dhe në ueb faqen e kësaj dege.

“Kryetar i kësaj dege Hazir Borovci në fjalim përkujtoi kryetarin e ndjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidentin historik, i cili ishte po nga kjo degë. Borovci tregoi se ka biseduar sot me ish Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, nga i cili është kërkuar që mos të prishen punët me amerikanët”, thuhet në kumtesën e degës së tretë të LDK-së në Prishtinë.

Kjo deklaratë e Borovcit u duartrokit shumë nga të pranishmit, në mesin e të cilëve ishte edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Exit mobile version