Site icon PrishtinaPress

LDK e AAK, thirrje Qeverisë: Çështjet e brendshme s’duhet të diskutohen në dialogun me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar nga qeveria që çështjet e brendshme të Kosovës të mos diskutohen në dialog me Serbinë.

Këtë kërkesë ata e kanë lidhur me njoftimin se gjatë ditëve në vijim Kosova dhe Serbia do të diskutojnë në Bruksel rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës që lidhet me dinarin serb.

Sipas tyre, kjo qeveri nuk është duke mbajtur asnjëherë fjalën e dhënë dhe se vetëm është duke bërë veprime populiste dhe pa koordinim me aleatët.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se në asnjë mënyrë Kosova nuk duhet që të diskutojë me Serbinë çështjen e përdorimit të valutave, pasi sipas tij, kjo çështje është krejtësisht çështje e brendshme e Kosovës e përcaktuar edhe me mandatin kushtetues.

Ai ka thënë se problem në këtë çështje janë vendimet se si është duke i marrë qeveria e Kosovës.

“Absolutisht nuk duhet të shkohet dhe bisedohet për këtë çështje. Çështja e përdorimit të valutave është krejtësisht çështje e brendshme e Republikës së Kosovës, dhe kjo çështje është e përcaktuar edhe me mandatin kushtetues që kanë institucionet tona kushtetuese. Problemi është se ky, ose kjo Qeveri, mënyra se si po i marrin vendimet, ku po na dërgojnë herë në Bruksel herë në Këshill të Sigurimit, problemi është te këta, nuk diskutohet kështu, nuk është qasja që duhet të ndiqet në procesin e dialogut me Serbinë. Ne edhe në të kaluarën jemi marrë më bashkësinë ndërkombëtare, nuk jemi shkuar me Serbinë për t’u marrë me çështje të brendshme të organizimit të shtetit të Kosovës. Me Serbinë kemi pasur bisedime për të rregulluar raportet reciproke edhe të serbëve lokalë që lidhen gjithmonë me kontekst lokal, por jo me organizimin tonë të brendshëm, jo me elementet themelore të shtetësisë së Kosovës, andaj po them se jemi kundër, dhe normalisht se jemi kundër që kjo çështje të mbyllet në nivel negociatash. Jemi për diskutime të thella përmbajtjesore me aleatët tonë dhe për t’i informuar ata para çdo vendimi i cili prek interesat e serbëve lokalë në Kosovë”, ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë se Kosova duhet të ketë qasje të kujdesshme, dhe në koordinim gjithmonë me aleatët.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se të gjitha veprimet e kësaj qeverie se po e shtrin sovranitetin e integritetin, janë veprime populiste që e ushqejnë votuesin e tyre, kjo pasi sipas saj, këto veprime dëmtojnë Kosovën edhe subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se tani në vend që të dialogohet për marrëveshjen përfundimtare, dialogu është kthyer në çështjen e dinarit.

“Kjo Qeveri asnjë betejë në raport me ndërkombëtarët dhe në raport me Serbinë nuk e ka fituar. Të gjitha veprimet që i ka bërë i ka bërë janë veprime populiste që janë afatshkurtra dhe që ushqejnë popullin dhe votuesit e LVV-së duke e përkrah këtë qeveri dhe veprimet e kësaj qeverie se po shtrin sovranitetin e integritetin. Ndërsa në anën tjetër realiteti është krejt i kundërt sepse këta po e dëmtojnë Kosovën edhe subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Dhe tash shihni, në vend se të dialogohet për marrëveshje përfundimtare ku respektohet sovraniteti, integriteti, ku respektohet Kushtetua e Republikës së Kosovës e kanë kthyer dialogun për çështjen e dinarit njëjtë sikur ka qenë skenari i kësaj qeverie për targat”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë se Qeveria aktuale nuk është duke punuar për të mirën e Kosovës por është duke punuar për të mirën e partisë së tyre./eo/

Exit mobile version