Site icon PrishtinaPress

LDK: Do të befasoheni për të mirë kur të publikohet marrëveshja e koalicionit me Listën Serbe

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se do të jetë befasi për të mirë marrëveshja e koalicionit që ata kanë bërë me Listën Serbe, por që nuk tregoi se kur do të publikohet kjo marrëveshje.

Marrëveshja e koalicionit të cilën e ka bërë LDK-ja me Listën Serbe ende nuk është publikuar, megjithëse lideri i kësaj partie, Isa Mustafa pak ditë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, pati thënë se do të publikohet dokumenti.Pas mbledhjes që pati sot GP i LDK-së, me mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti ku u diskutua për programin qeverisës, shefi i këtij Grupi, Arben Gashi u pyet gjatë konferencës për medie edhe për koalicionin me Listën Serbe.

Gashi tha se marrëveshja e koalicionit do të publikohet, duke mos specifikuar se kur do të ndodh kjo, por që sipas tij do të jetë befasi për të mirë.

Ai theksoi se nuk ka asgjë të fshehtë në lidhje me këtë marrëveshje.

“Do të bahet publike të garantoj dhe të garantoj se do të befasohesh për të mirë. Mbetet me pa kur të del”, tha Gashi.

Telegrafi më parë ka kontaktuar me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ka kërkuar këtë dokument, por nuk ka marrë përgjigje.Ndërkaq, për këtë marrëveshje nuk dihet detaje edhe pse gjatë konferencave për medie është deklaruar se Lista Serbe do të ketë po aq pjesëmarrje në qeverinë e re, sa ka edhe në Qeverinë Kurti.

Exit mobile version