Site icon PrishtinaPress

LDK dhe minoritet shkarkojnë kryesuesin e Kuvendit Komunal të Dragashit nga LVV-ja!

Me 15 vota pro, 1 abstenim, është shkarkuar kryesuesi i Kuvendit Komunal të Dragashit, Uran Halimi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nisma u bë nga LDK-ja, partia në pushtet, e cila përmes mocionit të mosbesimit shkarkoi Halimin.

Kjo është bërë e ditur nga faqet lokale të kësaj komune.  Lidhur me këtë ka reaguar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

Postimi i plotë:

LVV – Qendra në Sharr reagon pas shkarkimit të Uran Halimit nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit Komunal

Në tentativën e tretë për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, përbrenda këtij viti, përmes kontrabandimit të një pjese të asambleistëve individualisht, joshur përmes interesave të ngushta personale e familjare, pushteti uzurpues i Bexhet Xheladinit, ia doli që përkundër vullnetit politik të qytetarëve të treguar në zgjedhjet pararendëse lokale, të shënojnë një triumf të përkohshëm duke e shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Çështja e kryesuesit si pozicion nuk ka qenë as prioritet e aq më pak obsesion për grupin tonë të kuvendarëve, as për kryesuesin e deritanishëm, z.Halimi.

Por, në anën tjetër, udhëheqja e institucionit më të lartë vendimmarrës të komunës, ka qenë një mjet i fuqishëm për ruajtjen e balancave të këtij pushteti, i cili në përditshmërinë e tij tash e një kohë ka tendencë për ushtrim diktati.

Fakti më tronditës i seancës së sotme nuk është shkarkimi i kryesuesit. Fakt tronditës që mbetet për t’u parë e vlerësuar nga qytetarët është që pushteti në Sharr nuk donte t’ia dinte për gjendjen shëndetësore të njërit nga asambleistëve të grupit të kuvendarëve të PDK-së, rast ky që ndodhi teksa po vijonte seanca. Kërkesë e asambleistëve të PDK-së ishte që kjo seancë e sotme të shtyhet.

Por pushtetit në Sharr nuk i bëri pështypje njerëzorja, sikurse zakonisht.

Uran Halimi do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve përbrenda Kuvendit Komunal, i zëshëm, ashtu siç ka qenë përherë.

Ndërkohë që pushteti në ikje numëron ditët e mbetura.

Exit mobile version