LDK ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, LDK i ka dënuar sulmet ndaj , pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, derisa ka thënë se ato, si dhe barrikadimi dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cenojnë rendin kushtetues të Republikës prandaj si të tilla ato janë të papranueshme.
LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.
Postimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.
Sulmet ndaj institucioneve të Republikës, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe barrikadimi dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cënojnë rendin kushtetues të Republikës prandaj si të tilla ato janë të papranueshme.
LDK-ja i dënon ashpër këto veprime dhe kërkon që autorët e sulmeve të sillen para institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.
LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës.
Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë.LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.
Në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri; që në vend ndarjes e përçarjes siguron unitet të brendshëm e koordinim të ngushtë me aleatët tanë.
LDK – Zyra për Informim