Qeverisja e Komunës së Prishtinës është duke shndërruar shkollat e kryeqytetit në institucione ku po rehatohet militantë të Lëvizjes Vetëvendosje nga dhe po bëhen spastrime politike dhe po zgjedhën drejtor të rinj të anëtarësuar në VV ose që kanë lidhje me rrjetin e militantëve të VV-së. Kështu kanë deklaruar Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës përmes një reagimi.
Komuna e Prishtinës në tri vitet e fundit nuk ka ndërtuar asnjë objekt shkollor dhe për pasoj shkolla të shumta të kryeqyteti janë “ngulfatur” nga numri i madh i nxënësve.
Sipas këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës mungesa e objekteve të reja shkollorë në lagjet Kalabri, Vetërrnik, Mat, Sofali dhe Arbëri, tek Përroi i Njelmët po shkakton rritjen e numrit të nxënësve në SHFMU “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemaili”, “Faik Konica”, “Meto Bajraktari”, “Dardania” dhe disa institucione tjera të këtij niveli shkollor.
“Drejtoria Komunale e Arsimit e Komunës së Prishtinës për çdo vit po përpiqet të promovojë mësimin gjithëditor në të njëjtat institucione, ku mësimi zhvillohet në dy ndërrime, ku mungon infrastruktura elementare, ku nxënësit nuk i janë krijuar kushtet e domosdoshme të qëndrimit gjatë gjithë orarit të mësimit gjithëditor në mënyrë që të ndjehet si në ambientin familjar ku ai do të mund të ushqehet, të argëtohet e të zhvillojë aktivitete në fusha të ndryshme mësimore dhe ku ai, përpos mësimit bazik, të mund të përfitojë nga programet e fushave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga asambleistët e LDK-së.
Sipas tyre me mësimin gjithë ditorë po shkaktohet kaos përreth objekteve shkollore nga veturat dhe transporti i organizuar për të sjellë fëmijët dhe për t’i kthyer ata në shtëpitë e tyre nga lagjet ku mungojnë objektet shkollore, transmeton Gazeta Monitor.
Sipas LDK-së së Prishtinës qasja e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti ka dëmtuar arsimin në kryeqytet.
“Qasja me gjakftohtësi në këtë fushë e qeverisë komunale në Prishtinë dhe mos vënia në prioritet e ndërtimit të objekteve shkollore në politikën zhvillimore tregon se sa e kanë dëmtuar arsimin e Prishtinës politikat e Shpend Ahmetit dhe Vetëvendosjes në këto tri vitet e qeverisjes së tyre”, thuhet në komunikatë