Profesori Blerim Latifi ka kritikuar dhënien e hapësirës mediale të personave, që ai i quan “talebanë shqipfolës”.
Latifi shkruan se këta janë kthyer në pika reference për çdo çështje shoqërore, e thotë se të njëjtit kanë “botëkuptime agresive mesjetare”. Këtë e ka lidhur me sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
“Nëse nuk jeni hipokritë, nuk duhet të çuditeni fare, sepse aty ku talebanët dhe vahabët e diktojnë opinionin publik dhe kufijtë e lirisë së shprehjes, aty, mos sot nesër, do ta keni edhe përgjakjen e sferës publike. Sulmi mbi Valon Sylën është paralajmërim i kësaj. Është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet, që pastaj të shpallet i dështuar ky shtet dhe mbi dështimin e tij të justifikohet rikthimi i Serbisë”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i tij:
24 orë në ditë i promovojnë nëpër studio televizive dhe faqe portalesh vahabët e talebanët shqipfolës.
Për secilën çështje të shoqnisë dhe shtetit i kanë bërë pika reference njerëzit pa edukatë qytetare, pa kulturë e dituri moderne, por me botëkuptime agresive mesjetare. Të tillët sot mund t’i shohësh veç në mediat e Kabulit dhe Tehranit.
Madje të tillët i kanë shndërru në superstarë të sferës publike. E pastaj çuditen pse ndodhë dhuna kundër atyre që, duke besu se jetojnë në një shoqëri europiane e liberale, e ushtrojnë të drejtën për të pasur mendim kritik mbi ta, por edhe të drejtën demokratike për t’i bërë subjekte komedie.
Nëse nuk jeni hipokritë, nuk duhet të çuditeni fare, sepse aty ku talebanët dhe vahabët e diktojnë opinionin publik dhe kufijtë e lirisë së shprehjes, aty, mos sot nesër, do ta keni edhe përgjakjen e sferës publike. Sulmi mbi Valon Sylën është paralajmërim i kësaj. Është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet, që pastaj të shpallet i dështuar ky shtet dhe mbi dështimin e tij të justifikohet rikthimi i Serbisë./PrishtinaPress/