Analisti politik Blerim Latifi tha se dorëheqja e Elizabeth Gowing nga puna në Zyrën për Çështje të Komuniteteve, e cila është pjesë e ZKM-së është dëshmi e një korrupsioni që bëhet në kuadër të donacioneve që jepen për OJQ-të.
Gowing, e cila është edhe këshilltare e kryeministrit Kurti për çështjet e komuniteteve, dha dorëheqje nga ky post për shkak se ndarja e një fondi prej 500 mijë eurosh për OJQ-të dhe mediat të komuniteteve joshumicë u bë padrejtësisht meqë, sipas saj, mbi 90% e mjeteve shkuan për OJQ-të shqiptare.
“Arsyeja e dorëheqjes, siç u tha, lidhet me konstatimin e saj se fondet që menaxhon kjo zyrë nuk janë duke shkuar në destinacionin për të cilin jepen. Dorëheqja e Gowing e prek një segment të korrupsionit, për të cilin gjithmonë flitet pak, për të mos thënë se nuk flitet fare. Ky është korrupsioni i OJQ-ve, zhvatja e parave publike përmes organizatave të shoqërisë civile”, ka shkruar Latifi.
Ai tha se sapo krijohet një qeveri në Kosovë, brenda një kohe të shkurtër, si kërpudhat pas shiut, rreth e rrotull qeverisë mbijnë qindra OJQ, të cilat për target kanë thithjen e fondeve apo donacioneve që jep qeveria për çështje të interesit publik.
“ Zakonisht ky proces zhvillohet përmes lidhjeve joformale që ekzistojnë mes drejtuesve të këtyre OJQ- ve dhe zyrtarëve shtetërorë. Thënë shkurt e shqip: zyrtari i thotë mikut a të afërmit të vet: Dost krijoje një OJQ dhe konkuro për filan subvencionin, dorëzoje një projekt aty dhe unë pastaj e bëj pjesën time të punës! Kështu, pak a shumë, zhvillohet ky lloj abuzimi me paratë publike, që nga dita kur trupat e NATO’s patën hy në Kosovë. OJQ- të i marrin fondet, e improvizojnë realizimin e projekteve, sa për sy e faqe e për të qenë në rregull me letrat, dhe në fund dostat bëjnë pare. Nëse vlerësohet se ky proces zhvatjeje nuk mund të përsëritet, OJQ-së i vihet dryni. Institucionet publike janë të mbushura me hajna e abuzues dhe kjo nuk do shumë përpjekje për t’u kuptu, por edhe shoqëria civile vlon prej tyre”.
Sidoqoftë, Latifi thotë se jo të gjitha organizatat joqeveritare duhet të futen në një thes.
“Natyrisht, gjithmonë ekzistojnë përjashtime nga ky fenomen, prandaj nuk është as logjike e as e drejtë të futet krejt shoqëria civile në një thes përgjithësimi. Qeveritarët aktualë, sa ishin opozitarë, patën premtuar se do t’i jepnin fund korrupsionit publiko-privat dhe aq shumë dukeshin bindës në këtë, saqë i patën tejkalu krejt parashikimet elektorale. Dorëheqja e Gowing është një nga indikatorët e fundit që na flet se ky premtim, me gjasë, ka filluar të trajtohet nga qeveritarët aktualë si diçka që i përket të kaluarës. Nëse jo nga të gjithë, nga një numër i konsiderueshëm i tyre gjithsesi”.