Site icon PrishtinaPress

Latifi akuzon komisionerët e PDK-së për vjedhje votash: Me horra nuk shkohet në Evropë

Kandidati i PDK-së për deputet dhe këshilltari i kryetarit të kësaj partie Kadri Veseli, Blerim Latifi, nuk po pajtohet me faktin se nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. Ai ka akuzuar komisionerët e partisë së tij për vjedhje të votave.

Latifi, përmes njk postimi në Facebook, ka thënë se “me horra nuk shkohet në Evropë. Me horra veç një rrugë është e hapur: rruga e shtetit të dështuar!”

Postimi i plotë i Latifit:

“Gjatë fushatës më pyesnin njerëzit: Si i ke punët me komisionerët në vendvotime? Po me vëzhguesit? E si duhet t’i kem?, i pyesja. Për t’i ruajtur votat tua, më përgjigjeshin. Dhe vazhdonin : Nëse komisionerët nuk janë me ty, votat t’i marrin dhe ua hedhin të tjerëve, gjatë përpilimit të tabelave përfundimtare. Por, e keqja nuk sosë këtu, sepse edhe në rastin kur komisionerët janë me ty, duhet t’i ruash ata, për arsye se vjen tjetri dhe t’i blenë me para.

Pra, thënë shkurt e shqip: demokracia kosovare, që në aktin e saj themelor, është një mashtrim i madh, një pazar i ndytë komisionerësh e vëzhguesish. Vullneti i qytetarëve fillon e falsifikohet me t’u mbyllur qendrat e votimit. E pastaj ankohemi se Europa nuk po na i hapë dyert! Natyrisht që nuk na i hapë. Me horra nuk shkohet në Europë. Me horra veç një rrugë është e hapur: rruga e shtetit të dështuar!”, ka shkruar ai.

Latifi, pasi ka kuptuar se nuk ka fituar votat për mandatin e  deputetit, dy ditë më parë ka thënë se subjektin të cilin ai i takon në këto zgjedhje nuk e ka mundur as Vetëvendosja e as LDK-ja.

Exit mobile version