Site icon PrishtinaPress

Largohet nga puna drejtori i Postës që akuzohet se sulmoi kolegun

Është larguar përkohësisht nga puna Vedat Tahiri, drejtori i Shërbimeve Postare në Postën e Kosovës, i cili dyshohet se sulmoi fizikisht të enjten Faton Thaçin, ish-zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë.

Tahiri është suspenduar nga puna e tij si drejtor në Postën e Kosovës me vendim të Kryeshefit Ekzekutiv, Salih Morina.

Insajderi ka siguruar vendimin, i cili largon përkohësisht nga puna drejtorin e Shërbimeve Postare të Postës pas incidentit të ndodhur mëngjesin e së enjtes në objektin qendror të kompanisë.

“Bazuar në incidentin i cili ka ndodhur brenda objektit të Postës Kryesore Sh.A me datë 06.08.2020 ndërmjet punëtorit Faton Thaçi/drejtor i Operativës dhe punëtorit Vedat Tahiri/drejtor i Shërbimeve Postare, Posta e Kosovës ka marrë vendim që punëtori Vedat Tahiri, të largohet përkohësisht nga kompania deri në një vendim përfundimtar në procedurë pranë Komisionit Disiplinor”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeshefi Morina.

Tahiri, të enjten në mëngjes dyshohet se sulmoi verbalisht dhe fizikisht Faton Thaçin, kolegun e tij, i cili ushtron funksionin e drejtorit të Operativës në Postën e Kosovës.

Policia e Kosovës e ka arrestuar dje Tahirin pas denoncimit rastit nga Thaçi, i cili pretendon të jetë sulmuar nga homologu i tij i kompanisë.

“Sot [dje, v.j] rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës. Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin në fjalë, përfshirë këtu edhe arrestimin e personit të dyshuar. Rasti është hapur sulm ndaj personit zyrtar”, ka njoftuar dje Policia e Kosovës.

Faton Thaçi ka shërbyer si zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë për më shumë se një vit në Qeverinë Haradinaj. Ai është anëtar i Nismës Socialdemokrate, të udhëhequr nga Fatmir Limaj.

Exit mobile version