Site icon PrishtinaPress

Largohen barrierat në afërsi të terminalit doganor në Han të Elezit

Sot sërish Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ministria e Infrastrukturës nën asistencën e Policisë kanë ndërhyrë në largimin e barrierave në pronën në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit. Në atë pronë të privatizuar nga kompania “Terminali” Sh.P.K,  transportuesit e mallrave që hynin tranzit në Kosovë, paguanin një taksë në vlerë deri 40 euro.

Herën e kaluar në fillim të muajit shkurt, Ministria e Infrastrukturës u lavdërua se me asistencën e forcave të rendit kanë larguar barrierat metalike e rrjedhimisht lirimin nga kjo taksë. Por ky aksion nuk kishte pasur ndonjë efekt. Në pjesën ku intervenuan autoritetet shtetërore transportuesit thanë se nuk kishin paguar asnjëherë. Pas kësaj, institucionet kishin punuar për të bërë një zgjidhje tjetër.

Sot u larguan barriera e betonit të cilat ishin të vendosura rresht disa metra e që në këso mënyre pamundësonin kamionët që kalonin tranzit që të shkojnë më pas për zhdoganim të mallit në cilindo tjetër terminal doganor brenda Kosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i kishte dërguar terminalit letër për lirimin vullnetar të barrierave të betonit deri më datën 28 shkurt 2022.  Më pas, zyrtarët e AKP-së kanë vizituar më 1 mars pronën përkatëse dhe nga aty kishin nxjerrë raport që “pala nuk e ka liruar vullnetarisht pronën e NSH-së nga barrierat e betonit, dhe që pala ka vendosur makineri të rëndë (bager) në pronën të cilën më parë më 7 shkurt AKP e ka liruar me asistencën e Policisë së Kosovës”.

AKP ndërhyri sot me asistencën e policisë duke i larguar barrierat të cilat ishin vendosur në afërsi të terminalit doganor, pronë kjo në afërsi të pikës kufitare në Han të Elezit. Kompania “Terminali” Sh.P.K e kishte privatizuar pronën në vitin 2010 në valën e 40 të privatizimit.

Ndërhyrjen e AKP-së në këtë mënyrë, nga kompania “Terminali”  Sh.P.K e quajnë të parregullt, pasi thonë nuk kanë drejtë të ndërhyjnë në pronën private të tyre. Sepse siç thonë ata, institucionet shtetërore nuk po e respektojnë vendimin e tri instancave gjyqësore i kishte dhënë të drejtë kompanisë.

‘Sot AKP-ja me policinë pa asnjë dëshmi, vendim të gjykatë kanë ardhë barrierat të cilat kanë qenë të vendosura me vendim të gjykatës. Na kemi pas vendim të gjyqit edhe përmbaruesi ka dalë në vend të ngjarjes dhe i ka qit qysh kanë qenë në vitin 2014. Ky kontest ka filluar në vitin 2014 dhe ka vazhdu 7 vite deri më 2021. Ku është thirrë më pas përmbaruesi që më i qit rrethojat ku janë kanë qysh para privatizimit. Ne jemi të zhgënjyer që po ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në pronë private duke e dëmtuar një biznes e duke favorizuar një tjetër”, thonë nga kompania.

Nga kjo kompani kanë deklaruar se kanë ushtruar edhe kallëzim penal ndaj AKP-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës, pas ndërhyrjes që bënë herën e kaluar.

“AKP-ja ka ardhë në mënyrë jo të rregulltë, ky vend ka zot të shpie, dhe normal duhet me pasë, nuk e kemi njet me u shty, por vec në mënyrë ligjore qysh e kemi ndjek viteve të kalume. AKP-ja e ka shkel vendimin e gjykatës sikurse edhe Ministria e Infrastrukturës që ka vepru në vitin 2014. Këta kanë ardhë në mënyrë arbritare. Na e kemi njoftuar edhe më herët AKP-në që kemi vendim gjyqi, ndërsa sot na kanë thanë duhet me u hek rrethojat. Na kemi bë edhe kallëzim penal ndaj AKP-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës”, thonë tutje.

Historiku

Në prill të vitit 2010, prona qe gjendet në afërsi të degës doganore në Hani të Elezit ose në pikën kufitare Shkup – Hani i Elezit, është privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k. Aty kishte qenë më parë një fabrikë.

KALLXO.com ka siguruar një padi të cilën ndërmarrja e ka bërë kundër ministrisë, në të cilën përshkruhet se prona ishte privatizuar në vitin 2010, në valën e 40 të privatizimeve.

Gjatë posedimit të kësaj prone, sipas dokumenteve që KALLXO.com posedon, kishte lindur një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Terminali Sh.p.k” në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës të cilën e kishte privatizuar.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishe marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrisë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë.

Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit. E cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik. Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme.

Instancat më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë, me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik.

Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve. Meqë rast përmbaruesi privat më 13 tetor të 2021-es e urdhëroi ministrinë që t’i zbatojë vendimet e gjyqësore.

Më 21 tetor 2021, barrierat u rikthyen. Pas kësaj, transportuesit e mallrave në një prononcim për KALLXO.com u ankuan duke kërkuar që të krijohet një alternativë krahas Doganës – në pronë të shtetit.

Së fundmi, më 7 shkurt 2022, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se i kanë larguar barrierat metalike që ishin të vendosura në terminalin doganor në Han të Elezit. Rrjedhimisht, sipas tyre, transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro.

“Pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, përkitazi Doganën e Kosovës, kanë inicuar kërkesën për zhbllokimin e rrugës nga rrethojat metalike të vendosura në rrugën e cila është pronë shoqërore, nën menaxhimin e AKP-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Por menjëherë pas lajmërimit të Ministrisë, transportuesit e mallrave raportuan në KALLXO.com se situata po vazhdon e njëjtë atje.

Exit mobile version