Site icon PrishtinaPress

Largimi i serbëve nga institucionet, Matoshi: Po synohet të forcohet pozicionin negociator i Vuçiqit

Lista Serbe thirri një takim në orët e para të së shtunës për të diskutuar situatën aktuale në veri. Të pranishëm ishin të gjithë liderët e Listës Serbe si dhe policë të nacionalitetit serb nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim. Lista Serbe ka vendosur të largohet nga institucionet e Kosovës.

Analisti Halil Matoshi, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të ndryshimit të gjendjes në rajon në mënyrë që të forcohet pozicioni negociues i Vuçiqit dhe njëkohësisht Kosova të vihet nën presion për Asociacionin.

“Mësymja është e qartë: së pari ndryshimi i gjendjes në terren para çdo lloj marrëveshjeje, që të forcohet pozicioni negociues i Vuçiqit dhe së dyti, t’i bëhet presion Prishtinës për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin për të shtyrë afatin për targat.” – tha Matoshi.

Matoshi shpreson që pas këtyre ngjarjeve, kryeministri Kurti të ketë marrë një leksion se pa koordinim ndërkombëtar nuk do të ketë sukses

“Mirëpo, Qeveria e Kosovës tani po ballafaqohet me rebelim dhe vakum institucional në veri, çka e shtyn në ndërhyrje. Thjeshtë, pa koordinim me ShBA dhe Britaninë nuk mund të ketë sukses. Besoj se Albin Kurti e ka mësuar këtë leksion. Beogradi synon të blejë kohë, përndryshe do të pranojë çfarëdo marrëveshje që nuk e përmban njohjen de jure të Kosovës.” – tha ai.

Kujtojmë që gjatë ditës se sotme serbët e veriut mbajtën një tubim pas suspendimit të ish drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq.

Pankartat të cilat po i mbajnë në duar serbët pjesëmarrës janë: “Të gjithë jemi Nenad Gjuriq,”; “Ne shtet e kemi Serbinë,”; “Për hir të fëmijëve tanë – Jo dorëzim”; “Pse serbët nuk kanë të drejtën e lëvizjes së lirë?”; “Unë jam serb dhe gjithçka është e imja këtu,”

Nënkryetari i Listës Serbe, që iu bëri thirrje serbëve lokalë të shkonin në tubim, ishte shprehur se serbët janë të zhgëynjer me “reagimet joadekuate të bashkësisë ndërkombëtare ndaj veprimeve të Prishtinës”.

Exit mobile version