Lista Serbe thirri një takim në orët e para të së shtunës për të diskutuar situatën aktuale në veri. Të pranishëm ishin të gjithë liderët e Listës Serbe si dhe policë të nacionalitetit serb nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim. Lista Serbe ka vendosur të largohet nga institucionet e Kosovës.
Analisti Halil Matoshi, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të ndryshimit të gjendjes në rajon në mënyrë që të forcohet pozicioni negociues i Vuçiqit dhe njëkohësisht Kosova të vihet nën presion për Asociacionin.
“Mësymja është e qartë: së pari ndryshimi i gjendjes në terren para çdo lloj marrëveshjeje, që të forcohet pozicioni negociues i Vuçiqit dhe së dyti, t’i bëhet presion Prishtinës për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin për të shtyrë afatin për targat.” – tha Matoshi.
Matoshi shpreson që pas këtyre ngjarjeve, kryeministri Kurti të ketë marrë një leksion se pa koordinim ndërkombëtar nuk do të ketë sukses
“Mirëpo, Qeveria e Kosovës tani po ballafaqohet me rebelim dhe vakum institucional në veri, çka e shtyn në ndërhyrje. Thjeshtë, pa koordinim me ShBA dhe Britaninë nuk mund të ketë sukses. Besoj se Albin Kurti e ka mësuar këtë leksion. Beogradi synon të blejë kohë, përndryshe do të pranojë çfarëdo marrëveshje që nuk e përmban njohjen de jure të Kosovës.” – tha ai.
Kujtojmë që gjatë ditës se sotme serbët e veriut mbajtën një tubim pas suspendimit të ish drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq.
Pankartat të cilat po i mbajnë në duar serbët pjesëmarrës janë: “Të gjithë jemi Nenad Gjuriq,”; “Ne shtet e kemi Serbinë,”; “Për hir të fëmijëve tanë – Jo dorëzim”; “Pse serbët nuk kanë të drejtën e lëvizjes së lirë?”; “Unë jam serb dhe gjithçka është e imja këtu,”
Nënkryetari i Listës Serbe, që iu bëri thirrje serbëve lokalë të shkonin në tubim, ishte shprehur se serbët janë të zhgëynjer me “reagimet joadekuate të bashkësisë ndërkombëtare ndaj veprimeve të Prishtinës”.