Ministria e Administratës Publike me mbështetje të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, sot ka lansuar projektin për matjen në mënyrë elektronike të opinionit të qytetarëve për shërbimet administrative që ofrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka marrë sot pjesë në lansimin e projektit elektronik “E-Kutia”, ka vlerësuar rëndësinë që ka ky projekt në procesin e reformës së administratës publike, pasi në mënyrë elektronike do të matet opinioni i qytetarëve për shërbimet administrative që ofrojnë institucionet e Republikës së Kosovës.
“Matja e opinionit të qytetarëve përmes mënyrës elektronike, presim që do të kryejë një funksion të dyfishtë: në njërën anë përmes këtyre kutive, do të kenë mundësi që qytetarët të shprehin opinionet e tyre për shërbimet administrative që atyre iu ofrohen, por në anën tjetër, po ashtu edhe ministritë përkatëse, edhe organet qendrore, do të kenë informata të mjaftueshme, në mënyrë që të përmirësojnë politikbërjen e tyre, përmes shfrytëzimit të këtyre të dhënave konkrete në të cilat ata do të kenë qasje”, tha kryeministri Mustafa.
“Projekti synon që të mundësohet zvogëlimi i kohës së pritjes së qytetarëve për marrjen e shërbimeve, zvogëlimi i kostos së këtyre shërbimeve që iu ofrohen qytetarëve, përmirësimi i qasjes së zyrtarëve ndaj shërbimeve dhe komunikimit të tyre me qytetarët, shtimi i numrit të shërbimeve që ofrohen përmes internetit dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve administrative që ofrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, pas prezantimit të qëllimit dhe rëndësisë së projektit elaboroi gjithashtu edhe fazat që janë realizuar për lansimin e “e-Kutisë”.
Konkretisht, Ministri Yagcilar përmendi se “si hap tërësisht fillestar ka qenë evidentimi i shërbimeve administrative që ofrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe krijimi i një baze te të dhënave mbi këto shërbime.”
Më pastaj, ai sqaroi se “për qëllime të modelimit te të dhënave, është bërë matja pothuajse e “drejtpërdrejtë” e cilësisë së shërbimeve përmes një metode inovative që në teknika të matjes së opinionit njihet si klienti misterioz. Kështu, disa zyrtarëve administrative, përgjegjës për ofrimin e shërbimeve, iu kërkuan shërbime administrative pranë sporteleve përkatëse, për të cilat shërbime ata janë vlerësuar. Të dhënat e grumbulluara nga ky vlerësim me metodë innovative, tashmë janë integruar në bazën e të dhënave të sistemit elektronik dhe shërbejnë si pikënisje për lansimin e projektit.”
Si dhe, vazhdoi Ministri, duke elaboruar se është bërë zhvillimi i programit elektronik dhe vendosja e kutive elektronike pranë institucioneve ku ofrohen shërbimet, dizajnimi i fushatës promovuese për matjen e opinionit të qytetarëve, janë bërë të gjitha përgatitjet që të mundësohet vizualizimi i opinionit të qytetarëve në kohë reale për kënaqshmërinë e tyre mbi shërbimet që ofrohen nga administrata e Republikës së Kosovës, vizualizim ky që do të jetë i qasshëm nga i gjithë opinioni publik brenda disa ditësh.
Gjithashtu, një fjalë hyrëse pati edhe Zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, e cila ndër tjerash theksoi se ky projekt e bën Kosovën kampione të rajonit dhe është në linjë të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Znj. Roccasalvo, vazhdoi duke theksuar se UNDP është e kënaqur të mbështesë një projekt të tillë dhe të përkrahë Ministrinë e Administratës Publike, si promovues kryesor të reformave të administratës publike.
Mëpastaj, Udhëheqësja e Portfolios për Qeverisje dhe Sundim të Ligjit, zëvendës-koordinatorja e Programit të UNDP-së në Kosovë, Marta Gazideda, prezantoi edhe gjetjet dhe vlerësimet paraprake, që janë bërë përmes metodës inovative ‘klienti misterioz’ (‘mystery shopping’).
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike, Kujtim Gashi, prezantoi hapat që janë ndërmarrë mbi zhvillimin e programit elektronik dhe vendosjen e kutive elektronike pranë institucioneve ku ofrohen shërbimet, dizajnimin e fushatës promovuese për matjen e opinionit të qytetarëve si dhe vizualizimin e opinionit të qytetarëve në kohë reale për kënaqshmërinë e tyre mbi shërbimet që ofrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.